Moderatori i njohur i ‘Top Channel’, Isli Islami është infektuar me COVID-19. Lajmin e dha mëngjesin e sotëm, moderatorja Ori Nebiaj në emisionin ‘Wake Up’. Ori kujtoi edhe momentet me Islin, para se ky i fundit të rezultonte pozitiv. “Përgjatë gati një viti unë dhe Isli kemi intervistuar shumë njerëz të prekur nga Covid-19 jo vetëm për të informuar publikun sesi të sëmur ky virus, i cili ka gjunjëzuar botën por edhe për të shuar kureshtjen e atyre që nuk ishin prekur ende nga Covid siç ishim dhe unë e Isli.

Shpesh madje bënim dhe shaka me njëri-tjetrin se cilin do të kapë të parin, cili do të ishte më i fortë ndaj virusit. Për të qenë fare fare e sinqertë mes meje dhe Islit ai që mund të quhet si me ‘gjermani’ për sa i përket masave ishte Isli. Unë për shembull ndonjëherë harroja ta dezinfektoja mikrofonin, por Isli kurrë. Megjithatë për ta kaluar me batutë dua të te them Isli Islami se bastin e fitova unë. Ti u infektove para meje kurse unë dola më e fortë”, rrëfeu Ori.

Në një lidhje Skype për “Wake Up”, Isli zbuloi se edhe nëna e tij është infektuar me Covid, teksa bëri të ditur se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. “Mua më kishin filluar simptomat më herët, por prisja tamponin të isha më i sigurt. Meraku më i madh ishte për nënën time. Edhe nëna ime rezultoi pozitiv me Covid-19, por jemi në gjendje të mirë”, tha Isli. Ndërkohë, nuk munguan as batutat nga Ori: “A do ishte ky rasti t’i konfirmonim publikut se sa herë ne rezultojmë të veshur njësoj nuk flemë bashkë”?

“Ka dhe raste dhe ti e di shumë mirë, që edhe burrë e grua në të njëjtin shtrat bashkëshortor dhe është infektuar vetëm njëri. As ky nuk është rasti kur njerëzit të binden se ne nuk flemë bashkë”, tha Isli duke qeshur.