Ka qenë e neveritshme. Këto kanë qenë fjalët e ish-zëvendëspresidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Demetrio Albertini, në lidhje me sherrin në fushë mes Ibrahimovic dhe Lukaku-t gjatë derbit të Kupës së Italisë.

Futbollistët me personalitet të madh mund t’i shmangin ato situata. Do ta kuptoja nëse do të bëhej fjalë për disa të rinj, por jo nga lojtarë si ata, nga të cilët presim gjithmonë që të jenë një shembull. Personaliteti duhet treguar në një mënyrë tjetër, ka thënë ish-mesfushori i Milan-it për Radio 2 Rai.

Në lidhje me ecurinë e skuadrës së Pioli-t: Deri tani kanë bërë një gjë të jashtëzakonshme, askush nuk do ta imagjinonte Milan-in kampion dimri. Nëse është i pari, do të thotë se e ka merituar. Edhe nëse titulli nuk do të vinte në fund, ky sezon do ta bëjë skuadrën më të fortë për sezonin e ardhshëm.