Lulzim Basha tashmë ka bërë të ditur shumicën e “kolonelëve” që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike në 12 qarqet e vendit. Siç e tha dhe në Opinion dhe që doli dhe realisht, ky akt politik nuk përfaqëson asnjë sinjal të ri politik, por vetëm një zgjidhje të brendshme e partisë. Fytyra e PD-së më 25 prill nuk ka as “peshat e rënda” politike të Berishës në 2005, po as sjelljet nga shoqëria për të hyrë në Kuvend.

Mungojnë duelet e forta politike që u shitën në kohën kur erdhi PD në pushtet pas 8 vitesh, si Olldashi përballë Agron Dukës apo Ylli Pango përballë Anastas Angelit, apo dhe Besnik Aliaj përballë Fatos Nanos etj. PD futet në zgjedhje më shumë për të rihyrë në sistemin politik që doli në mënyrë fatale në 2019-n, sesa si një propozim i freskët që i jep një mesazh freskie shoqërisë.

Madje ka në gjirin e saj si kandidatë edhe kundërshtarë “ekselentë” që mundi në vitin 2005, si Agron Duka. Megjithatë, kjo është thjesht një pjesë e sinjalit politik që opozita kryesore i jep elektoratit shqiptar më 25 prill. Mesazhi tjetër është mungesa e një modeli politik që ka krijuar PD e Lulzim Bashës.

PS-ja e Edi Ramës, përveç modelit të fortë të Bashkisë së Tiranës, në 2013 erdhi edhe me modelet që krijoi në disa bashki të ndryshme që kjo forcë i fitoi në 2007-n, Durrësin e Vangjush Dakos, Korçën e Niko Peleshit, Vlorën e Shpëtim Gjikës, e natyrisht qeverisjen e bashkive të gjithë qyteteve kryesore, por edhe perifike si komuna e Xarës së Sarandë.

Në politikë, trashëgimia, “Legacy”, apo modeli që përfaqëson janë natyrisht thelbi i propozimit elektoral. Basha nuk mund të dalë para njerëzve as me modelin e tij 4- vjeçar në drejtim të Bashkisë së Tiranës, as me modelin e Voltana Ademit në Shkodër, e as me atë të Xhelal Mziut në Kamëz, të cilët as nuk i përfaqëson me kandidime lineare politike në këto zona.

Por natyrisht as me qeverisjen e Partisë Demokratike përpara vitit 2005. Edhe pse Basha e mbron legacy-në e qeverisë “Berisha”, ku ka qenë ministër disa herë në 8 vjet, në disa emisione, ku përmend vizat NATO-n e rrugën e Kombit, që natyrisht janë procese politike më shumë se modele, gjithsesi, ai nuk ka kurajon të dalë para zgjedhësve, ose duke mbrojtur një model, ose duke propozuar një model të ri.

Retorika e Bashës, përveç sofizmit është rikthim në taksën e sheshtë të Ridvan Bodes, ose propozim për rritje rrogash. Basha edhe pse ka sulmuar egërsisht modelin e Erion Veliajt në Tiranë, asnjëherë nuk ka arritur ta sfidojë atë, pasi i mungon referimi real e faktual i modelit që ka krijuar Veliaj. Kjo duket edhe në paqartësinë për të formuluar sfidën politike në qarkun Tiranë, ku nuk ka nxjerrë deri tani një kundërfigurë që ta sfidojë kryebashkiakun e Tiranës, që është edhe shefi elektoral i socialistëve për kryeqytetin.

Oferta elektorale e PD-së është e vaktët, ka më shumë kundërshtim e sulm ndaj ofertës së socialistëve, për t’ja deligjimizuar kartat elektorale të Ramës, që sot duket qartë se janë rindërtimi post-tërmet dhe reformat fiskale ndaj biznesit të vogël. PD sot nuk ka në gjirin e vet, të paktën nuk e ka nxjerrë në publik si ekspert financiar, si Ridvan Bode dikur që të propozojë modelin ekonomik të qeverisë së re.
Nuk ka një ekspert të ligjeve që të tregojë sesi do të sillet PD nëse fiton me reformën në drejtësi. Nuk ka një ekspert sigurie që të flasë për modelin politik të qeverisë së PD-së për rendin publik. Edhe në panelet e darkës, PD dërgon si ekspertë vetëm truprojat e Sali Berishës….

Marrë nga TemA