Gjatë muajit Shkurt infeksioni i koronavirusit do të vazhdojë të përhapet duke shtuar numrat e të prekurve, por epidemiologët thonë se shumica e qytetarëve po e kalojnë lehtë gjendjen në kushtet e shtëpisë. Gjithsesi shtimi i numrit të të infektuarve është pasojë e grumbullimeve në fund të muajit Dhjetor, thonë ekspertët. “Normalisht periudha e inkubacionit zgjat deri dy javë, fillon shfaqen rastet e para por ato ia transmetojnë njëri-tjetrit brenda familjes, shoqërisë dhe normalisht numri i rasteve rritet. Edhe java e parë dhe e dyta do vijojë në të njëjtën sitautë. Nuk është shqetësuese pasi në spitale numri i rasteve nuk është rritur, nuk ka fluks të shtuar, shumica e kalojnë në gjendje të lehtë në kushtet e shtëpisë” – thotë Rovena Daja.

Lajmi i mirë është se në Shqipëri nuk po qarkullon ndonjë mutacion i ri i Covid-19, si ai britanik apo afrikan. “Nuk kemi indentifikuar nëse ka ardhur ndonjë mutacion britanik apo lloj tjetër” – shton Daja. Shqipëri regjistron 27 mijë raste aktive Covid, prej tyre 16 mijë janë vetëm në kryeqytet. Të rinjtë 15-24 vjeç eshtë grupmosha më e prekur.