Të gjithë qytetarët që u ka skaduar karta e ID, duhet të paraqiten pranë zyrave të gjendjes civile për ta rinovuar. Duke qenë pak muaj para zgjedhjeve, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se nuk ka një vendim për shtyrjen e afatit të saj të skadencës, por po u bëhet thirrje qytetarëve që të aplikojnë për të marrë kartën e re të identifikimit.

“Kemi shtyrë dy herë afatin e skadencës së kartës ID, tashmë jemi në një proces ku po nxisim të gjithë qytetarët që të aplikojnë në zyrat e gjendjes civile për të rinovuar kartat atyre që i ka skaduar.

Do vendosim në listat e votuesve që do publikojmë tani të radhës, do i markojmë të gjithë shtetasit apo votuesit që iu ka skaduar karta, do i markojmë që ata ta shohin e të jenë të ndërgjegjshëm që u ka skaduar.

Do marrim një proces që të kemi një valë masive të shtetasve që do rinovojnë dokumentet e identitetit.

Tani për tani nuk kemi ndërmarrë ndonjë iniciativë të tillë por gjithsesi nëse do ketë iniciativa të tilla do jenë publike, e do informoheni”, tha ministri.