Në një kohë kur të gjithë janë të frikësuar në lidhje me efektshmërinë e vaksinave antiCOVID ndaj variantit të ri të shfaqur në Mbretërinë e bashkuar lajme të mira vijnë nga kompanitë farmaceutike. Kompania farmaceutike AstraZeneca, e cila ka krijuar një vaksinë në bashkëpunim me Oxford ka deklaruar se vaksina e saj është efektive kundër variantit të koronavirusit të zbuluar në Britani.

“AZD1222 përmban materialin gjenetik të proteinës kyçe dhe ndryshimet në kodin gjenetik të parë në këtë grup të ri viral nuk duket se ndryshojnë strukturën e proteinës së lartpërmendur,” thotë kompania. “Përmes vaksinimit me AZD1222, sistemi imunitar i trupit është trajnuar të njohë shumë pjesë të ndryshme të proteinës kyçe, në mënyrë që të mund të eliminojë virusin nëse ekspozohet më vonë,” shtoi përfaqësuesi i AstraZeneca.

Mutacioni i njohur si linja B.1.1.7 mund të jetë deri në 70% më infektues dhe më shqetësues sepse ka një shkallë më të lartë mundësie për të infektuar edhe fëmijët. Kjo ka shkaktuar kaos në Britani, duke nxitur një valë ndalimesh udhëtimi që po prishin tregtinë me Evropën dhe kërcënojnë të izolojnë më tej vendin. Vaksina AstraZeneca-Oxford konsiderohet jetike për vendet me të ardhura më të ulëta dhe ato në klimë të nxehtë, sepse është më e lirë, më e lehtë për t’u transportuar dhe mund të ruhet për periudha të gjata në temperaturat normale të frigoriferit. Ajo ka shfaqur një shkallë efektiviteti deri në 90 në varësi të dozave.