Hera e fundit që Arsenali fitonte një ndeshje në kampionatin anglez, ishte pikërisht në ditën e parë të nëntorit, në transfertën e “Old Trafford” ndaj Manchester United, falë një goli të Aubameyang me penallti në pjesën e dytë.
Që atëherë “topçinjtë” kishin regjistruar 5 humbje e dy barazime, por u rikthyen te suksesi pikërisht pasditen e djeshme në “Emirates Stadium”, pasi mposhti Chelsean në derbin e Londrës, me rezultatin 3-1.

E ardhmja e trajnerit Mikel Arteta ishte vënë në dyshim javët e fundit, ndërsa vetë trajneri nuk e fshehu kënaqësinë për triumfin ndaj Chelseat dhe në konferencën për shtyp pas ndeshjes, tha se shpreson që kjo fitore të jetë një pikë kthese për skuadrën.

“Shpresojmë që kjo fitore të jetë një pikë kthese për ecurinë tonë, pasi jam i bindur që do të injektojë një dozë të lartë vetëbesimi te futbollistët. Chelsea ka një skuadër shumë cilësore, por në pjesën më të madhe të lojës, ishim ne që dominuam”, u shpreh Arteta.

Disa ditë më parë la skuadrën me 10 vetë në fushë, por mbrëmjen e djeshme Granit Xhaka ishte protagonist për “topçinjtë”, pasi shënoi golin e dytë me një goditje dënimi dhe zhvilloi një 90-minutësh në kufijtë e perfektes, ndërsa Arteta foli me superlativa për mesfushorin.

“Disa ditë më parë ai gaboi siç gabojmë të gjithë ne, por askush nuk mund të vërë në dyshim angazhimin, karakterin dhe dëshirën e tij për të luftuar për këtë klub. Ndaj Chelseat ndjej se ai i dëshmoi sërish këto cilësi”, deklaroi trajneri i Arsenalit.