Nga spitali i Traumës, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri me dije disa prej masave të marra për festat e fundvitit.

Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gadishmëri 24 orë me ekipe të përforcuara për festat e fundvitit. Nga Spitali Universitar i Traumës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, tha se janë vendosur ekipe shtesë për përballimin e urgjencave mjekësore.
“Ekipet shëndetësore në gjithë sistemin tonë, qoftë ato të Urgjencës Kombëtare, qoftë të spitaleve tona që nga ato universitare deri tek rajonalet, bashkiaket do të jenë me ekipe të përforcuara për të përballuar çdo emergjencës që mund të kemi. Do të kemi në sistemin e Urgjencës Kombëtare 100 ekipe, të cilat janë të shpërndara në terren në postacione për të mbuluar çdo emergjencë në kohë dhe me cilësi. Nga ana tjetër të gjithë sistemet dhe strukturat e urgjencave në spitale por edhe të shërbimeve në spitale do të jenë të përforcuara, duke organizuar punën me shërbimin “on call”, pra të mjekëve të cilët do të jenë të gatshëm, nëpërmjet sistemit të thirrjeve për çdo emergjencë që mund të ketë në spitalet tona”, bëri të ditur Manastirliu.

Manastirliu bëri me dije se masat janë marrë për të përballuar emergjencat e mundshme, pavarësisht se nuk do të lejohen grumbullime në sheshe.
“Për kryeqytetin do të kemi 9 ekipe të urgjencës, të cilët do të vendosen në postacione të caktuara dhe dy ekipe shtesë të urgjencës kombëtare si edhe janë siguruar materialet mjekësore, barnat e nevojshme për të përballuar çdo situatë emergjence, qoftë në kuadër të emergjencave, aksidenteve apo problematikave që mund të sjellin festimet e fundvitit”, tha Manastirliu.
Duke vlerësuar punën e ekipeve mjekësore në këtë vit të vështirë, Manastirliu tha se mirënjohja do të kurorëzohet me rritjen historike të pagave për bluzat e bardha.

“Dua t’ju falenderoj për punën tuaj të palodhur dhe kurorëzimi i kësaj mirënjohje mëse të merituar do të jetë me rritjen 40% të pagave në vitin e ri që po vjen”, tha Ministrja e Shëndetësisë, duke uruar për një vit të ri të mbarë e të shëndetshëm të gjithë ekipet mjekësore dhe qytetarët shqiptarë kudo ku ndodhen.

Urdhri i gatishmërisë së përforcuar për spitalet gjatë ditëve të festave, i firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përcakton forcimin e ekipeve në dispozicion për urgjencën 24/7, nga data 31 Dhjetor deri më 5 Janar dhe përcaktimin e mjekëve “on call”, pra në gatishmëri për secilin shërbim, për të mbuluar cdo urgjencë që mund të ndodhë. Gjithashtu përcaktohet detyrimi për të siguruar barnat dhe pajisjet mjekësore të nevojshme si dhe për të vendosur në gatishmëri të përforcuar urgjencën kombëtare në territor.