Ëndrra i është bërë realitet. Për herë të parë, Florian Marku do të zbresë në ring në natën ku përballen më të mirët e botës në boks në kategorinë e rëndë. Boksieri shqiptar, duke folur për Sky Sports para meçit me Jamie Stewart, deklaroi se ëndrra e tij është që një ditë të zbresë në ring në vend të Anthony Joshua dhe të luftojë për më të mirin e botës në kategorinë e rëndë. Meçi kryesor sonte do të jetë mes Anthony Joshua dhe Kubrat Pulev, fituesi i rrëmben katër breza IBF, WBA, WBO dhe IBO që aktualisht janë të Joshuas.

“Është koha ime që të ju tregoi të gjithëve se kush jam. Objektivi im është të jem në maje, do t’i argëtojë tifozët, e di shumë mirë se çfarë duan ata”, u shpreh Marku. I shtyrë nga gazetari që shqiptari të tregojë drejt në kamera kush është Marku, ai u përgjigj: “Florian Marku është kampioni i radhës i botës. Do ta shihni. Ndoshta tani mendoni se flas shumë, por kur të vij koha do t’ju tregojë të gjithëve se jam më i miri”.