Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ekonomia shqiptare ka një bazë të qënësishme për t’u rritur dhe për të vazhduar të rritet në mënyrë të qëndrueshme pas dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë së COVID-19.
Rama tha se sipas Bankës Botërore, si rezultat i masave të marra, ekonomia shqiptare dhe ajo malazeze do të jenë dy ekonomitë që do të rimëkëmben më shpejt nga goditja e rëndë e pandemisë.

“Banka Botërore parashikon 5% nivelin e rritjes ekonomike, ose 1.5% më shumë se mesatarja e rajonit. Fondi Monetar Ndërkombëtar e parashikon rritjen ekonomike prej 6%”, deklaroi Rama. Por shtoi ai, ajo që mbetet me rëndësi, përtej këtyre shifrave që janë abstrakte për shumëkënd, është se paralelisht me luftën në front me armikun e padukshëm duke mbështetur financiarisht ata që u preken nga pandemia, kemi vijuar procesin e rindërtimit.

“Padiskutim që ekonomia jonë ka një bazë të qenësishme për t’u rritur dhe për të vazhduar të rritet në mënyrë të qëndrueshme pas kësaj goditje”, tha Rama.