Aksi Ballaban-Berat, i cili do të rivitalizohet përmes ndërhyrjes së thellë infrastrukturore do të jetë nxitje për turizmin në zonë. Kryeministrit Edi Rama solli pamje se si do të duket aksi i rrugës Berat-Ballaban (Këlcyrë) sipas studimit të projektimit.
Ky aks shkurton kohën e udhëtimit, nga Berati në Përmet e Gjirokastër, si dhe do të nxisë zhvillimin e turizmit në këtë zonë mrekullish natyrore dhe trashegimie historike e kulturore, u shpreh kryeministri Rama.

Aksi rrugor Berat-Ballaban (Këlcyrë), është një rrugë e vjetër, shumë e rëndësishme për zonat ku kalon, por e lënë jashtë vëmendjes dhe në dekadat e fundit ka degraduar duke dalë pothuajse jashtë funksionit.

Qeveria Shqiptare, përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar, synon rivitalizmin e kësaj rruge, duke planifikuar një ndërhyrje të thellë në gjurmën ekzistuese për t’a rikthyer këtë aks në funksion të plotë.

Ky segment rrugor, me një gjatësi prej afro 60 kilometrash, prek katër bashki, Berat, Poliçan, Memaliaj dhe Këlcyrë dhe ju shërben afro 150 mijë banorëve. Ndërtimi i saj është një mundësi më tepër jo vetëm për të shkurtuar distancën dhe kohën e udhëtimit, Berat-Përmet e më tej në Gjirokastër, por edhe për të nxitur zhvillimin e turizmit në këtë zonë.