Dhjetëra mijëra infektime, qindra të vdekur në ditë nga koronavirusi. Në Gjermani, situata e pandemisë po bëhet dramatike dhe zërat për një mbyllje të plotë të jetës publike edhe para Krishtlindjes janë shtuar. Gjermania u konsiderua një shembull në Evropë gjatë valës së parë të pranverës, por tani shifrat janë rritur shumë.

Instituti “Robert Koch” raportoi të shtunën më shumë se 28.000 infektime në ditë, kurse numri i vdekjeve është rritur me 496 vetë. Masat e marra në nëntor qartazi nuk e arritën efektin e tyre. Tani për shkak të shifrave në rritje të infektimeve janë rritur kërkesat, që të kufizohet jeta publike edhe para krishtlindjeve. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier e cilësoi situatën “shumë serioze”.

“Nëse si tani do të vazhdojnë të infektohen dhjetëra mijëra vetë me virusin, nëse vdesin qindra vetë në ditë nga virusi, atëherë kjo do të thotë, se urgjentisht ne duhet të forcojmë përpjekjet tona në luftë kundër pandemisë.”

Në Gjermani flitet për një mbyllje deri më 10 janar, në të njëjtën kohë duhet të mënjanohen blerjet masive. Detyrimi për shkollën do të mbetet, por do të hiqet detyrimi për mësimin me prezencë në shkollë. Që nga e hëna faktikisht prindërit mund të vendosin në landin me popullsinë më të madhe në Gjermani, Renani Veriore-Vestfali nëse do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë apo do t’i lenë në shtëpi. Të dielën kancelarja gjermane, Merkel dhe kryeministrat e landeve do të debatojnë për mënyrën e veprimit të mëtejshëm në kuadër të pandemisë. Me shumë gjasa pritet një mbyllje e jetës publike, ajo që diskutohet është koha, kur duhet të fillojë ajo dhe sa do të zgjasë.