Nga Mero Baze/

Një kolege e zyrës së Lulzim Bashës në zyrat e UNMIK në Kosovë, më pat treguar një detaj interesant nga puna e tij. Vinte në zyrë gjysmë ore para të gjithëve dhe rrinte me derë 45 gradë të hapur. Qëllimi ishte të shikonte shefin e vet kur hynte në shkallë. Duhet të shikonte veshjen e tij. Meqë shefi kishte qejf kravatat “Hermes”, ky kishte blerë gjithë setin e ngjyrave të gravatave “Hermes” dhe i mbante në gardërobë. Sa shikonte ngjyrën e kravatës së shefit, ndërrohej dhe vendoste ngjyrën që kishte veshur ai. Pastaj paraqitej në mbledhjen e mëngjesit duke e suprizuar me “koinçidencën”. Duket pak si e pavend si histori, por në fakt është i vetmi shpjegim psikologjik për Lulzim Bashën, i cili tanimë ka dy ditë që u thotë mjekëve, “nuk kam gjë me ju, e kam me Edi Ramën”. Kompleksi i tij për t’u shfajësuar se nuk po sulmon mjekët, erdhi pas reagimit të ashpër publik ndaj sjelljes së tij si drejtor i Morgut të Tiranës, duke publikuar fotot e katër të vdekurve, që po prisnin të futeshin në dollapët frigoriferikë.

Lulzim Basha, si menaxher i morgut politik, u përball me deklaratën e mjekëve të Spitalit Infektiv dhe atyre që po përballen me pandeminë, duke e ftuar të ballafaqojnë faktet, pasi vdekjet janë proces ligjor dhe administrativ, i patjetërsueshëm. Por kjo juaja i duket nervozizëm i tepërt. Për dikë që ka të falsifikuar çdo ditë të jetës së tij dhe çdo letër qe ka marrë në dorë për të bërë miliona, ky ngjan si justifikim. Megjithatë, ngaqë opinioni ishte kundër tij, ai vendosi të kalojë nga ana e mjekëve, duke u përpjekur t’i qetësojë ata, por në fakt, duke i fyer më shumë. Ka dy ditë që është kompleksuar nga sulmi prej morgut dhe thotë askush nuk i akuzon mjekët, por e kam me Edi Ramën. Ata që dolën publikisht dhe u përballën me të ishin mjekë, dhe jo Edi Rama. Dhe ata nuk janë mjekë dosido, por mjekët që po përballen me vdekjet përditë dhe që po plotësojnë kartelat e vdekjeve të tyre. Kush tjetër përveç tyre plotëson kartela vdekjesh? Me cilët mjeke, përveç atyre, e ka ky këtë sulm?

Por ai nuk i kupton këto pyetje. Ai mendon se i mbron mjekët duke ju thënë se nuk po ju akuzoj ju, por ata që ju urdhërojnë ju. Dhe nuk ka faj. Ai i di mjekët të gjithë si Lulzim Basha, që i bën punët me urdhër në jetë. Ai nuk e kupton shumë këtë punën e dinjitetit të tyre profesional, por dhe publik. Ai nuk e di që është më e lehtë t’iu thuash që jeni mjekë të pazotë, se sa t’u thuash ju jeni heronj, por jeni servilë të Edi Ramës dhe shkruani në kartela çfarë u thotë ai. Duhet ta kuptoni se për Lulzim Bashën kjo akuzë që u bën, nuk është ndonjë mëkat, se ai ka tërë jetën që bën këtë punë, pasi flet çfarë i thotë tutori i tij. Ndaj e ka të lehtë dhe t’u thotë sot që nuk e ka me ju, pasi sipas tij, ju jeni të pafajshëm. Ai nuk e kupton që ju keni dinjitet profesional.

Ndaj mjekët duhet ta kuptojnë këtë situatë kur i fyen Lulzim Basha. Ai e di se u mbron kur u thotë ju shkruani në kartela çfarë iu thotë Edi Rama. Ai e di se ju jeni të pafajshëm, po qe se gënjeni për të ruajtur vendin e punës. Në fund të fundit ai është duke u thënë, mos shkruani çfarë u thotë Edi Rama, por ato që u them unë. Ai mendon se kjo është puna juaj. Biles për t’ua hequr turpin, gjen dhe ca mjekë që i quan të PD-së, për t’u treguar ju se ka dhe mjekë që pranojnë broçkulla. Fiksojini fytyrat e tyre, se ata do të jenë mjekët e pushtetit të tij. Ashtu ju do! Në gjithë këtë histori, me mendjen e tij ai është duke iu mbrojtur. E shikoni si thërret që nuk kam gjë me ju?

E ka të vërtetë atë që thotë. Ai e di se njeriu, nëpunësi, mjeku, profesori, gazetari dhe kushdo në këtë botë, e ka detyrë të bëjë si e urdhërojnë. Ndaj me mendjen tij ju ka falur, por e ka me atë që ai mendon se ju urdhëron. Njësoj siç do bënte vetë nëse do ishte mjek, siç ka bërë vetë kur ishte fakt mbledhës për krimet e UÇK, siç ka bërë vetë kur ishte mbushës dosjesh në UNMIK, siç ka bërë vetë kur mbushte dosjen e Rrugës së Kombit me letra fallco, siç ka bërë vetë më 21 janar, që falsifikonte urdhrat e arrestit për gardistët vrasës, apo siç bënte në maj të 2011 për të gjetur vota jashtë kutive. Për të është shumë familjare si sjellje. Lulzim Basha po ju mbron sikur të ishte në vendin tuaj. Por jo profesionist, por një njeri pa shtyllë kurrizore, që mendon se falsifikimi dhe gënjeshtra janë detyra për këdo. Faleni se e ka të sinqertë. Si historinë e kravatave që u tregova në fillim.