Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantierin e rindërtimit të shkollë “Jashar Hoxha”, në Kamzë, e cila pas goditjes nga tërmeti, po rilind më e madhe, më e bukur, më e fortë. “Shembëlltyrë kuptimplotë mes qeverisjes së atyre që për 30 vjet e molën popullin e zonës si lopë elektorale, në këmbim të shëmtisë në zhvillim e të parodisë me emrat e rrugëve dhe qeverisjes sonë, që në bashkëpunim me kryebashkiakun socialist, po i jep këtij komuniteti të larmishëm modele zhvillimi urban e social njësoj si në Tiranë”, tha Rama.

Kryetari i Bashkisë Kamzë, Rakip Suli u shpreh se në këtë shkollë do të mësojnë në kushte bashkëkohore mbi 1 mijë nxënës. “Nga viti 1998, në godinën ekzistuese të kësaj shkolle nuk ishte vënë asnjë dorë. Shkolla e re do të ketë ambiente sportive, laboratorë e pajisje të reja. Punimet janë shumë cilësore”, tha Ai.

Sipas Sulit “investimet e bashkisë Kamzë janë fokusuar te godinat arsimore”. “Në Bathore po ndërtohet shkolla me 6200 m2 ndërtim nga e para; po ndërtohet kopshti nga e para 2400 m2 në Valias të Vjetër; do filloj kopshti dhe shkolla në Laknas dhe shkolla në Paskuqan”, tha ai. “Sa i përket infrastrukturës arsimore në bashkinë Kamzë mund të them se do të jetë modeli i gjithë Shqipërisë. Po punohet dhe po vazhdon puna. Jemi fokusuar te pjesa e arsimit se nuk është vënë dorë prej 30 vitesh”, tha Suli.