Lajmi se LSI çoi me urgjencë ish Shefin e Shërbimit Sekret, për fushatën elektorale për 25 prillin 2021 në Durrës, tregon se ka një hall të madh në këtë qark. Bahri Shaqiri deri dje, nuk ka demonstruar ndonjë vokacion të veçantë publik dhe as ndonjë ambicje të madhe politike. Mbi të gjitha, ai nuk ka ndonjë mbështetje të veçantë lokale, që do të jepte garanci për sukes elektoral. Po pse kjo lëvizje tani e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit atëherë në Durrës? Pse drejtuesit e LSI i kanë fokusuar energjitë këtë vjeshtë, kaq shumë në qytet-portin më të madh të vendit? Pse kanë zhvilluar atje, më shumë takime se në çdo qark tjetër të Shqipërisë? E gjitha kjo duket se e ka një arsye. Në zgjedhjet e 2017, LSI fitoi dy nga 14 mandatet e deputetëve në këtë qark, duke u përfaqësuar në Parlament nga Lefter Koka dhe Nora Malaj. PS fitoi 8, ndërsa PD mori 4 mandatet e tjera. Pas djegies së mandateve të deputetëve të opozitës në fillim të vitit 2019, Koka nuk pranoi që ta dorëzonte atë, ndaj vijoi jetën politike në Kuvend. Ky hap çoi në prishjen e marrëdhënieve të tij me LSI.

Pak ditë më parë Kryeministri Rama, gjatë një takimi publik, “zyrtarizoi” ribashkimin e Lefter Kokës me familjen socialiste pjesë e së cilës ka qenë përpara se të angazhohej me partinë e Metës. PS ka rikthyer në “bord”, një nga figurat me më shumë ndikim, që LSI kishte në Durrës. Mazhoranca është fokusuar në këtë qark, edhe përmes projektit të saj madhor, për rindërtimin e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit. Këto dy pika mjaft të forta dhe të tjera, bëjnë që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi të kuptojnë se LSI në Durrës, nuk mund ta përsërisi dot më rezultatin zgjedhor të 4 viteve më parë. Fillimisht LSI kishte si të deleguar politik në këtë qark, një prej figurave më të rëndësishmë të saj, ish ministrin e Drejtësisë Nasip Naço. Fakti që Naço ka garuar më parë në qarkun e Beratit dhe miqësia e tij me ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, duket se nuk kanë dhënë shumë garanci për rivendosjen e ekuilibrave të shprishur në Durrës.

LSI u riogranizua nga e para, duke zgjedhur drejtuesit dhe strukturat e reja, në kushtet kur të vjetrat kontrolloheshin nga Koka. Monika Kryemadhi ka zhvilluar shumë aktivitete me to këtë kohë. Vetë Ilir Meta e ka zhveshur prej kohësh kostumin e Kryetarit të Shtetit duke u hedhur aktivisht në terren, në ndihmë të fushatës elektorale të LSI në Durrës. Presidenti është parë shpeshherë në ambiente publike, me aktorë dhe faktorë të ndryshëm lokalë. Mediat thanë se mes tyre, mund të ketë edhe njerëz me të shkuar të dyshimtë dhe subjekte të listës së Operacionit Forca e Ligjit (OFL). Largimi me urgjencë i Bahri Shaqirit nga detyra e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Presidentit, për tiu përkushtuar fushatës elektorale të LSI në Durrës, dëshmon se: E para, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po kalojnë një krizë besimi me strukturat drejtuese të LSI në terren, çka për kompensim u duhet që të kenë atje, njerëzit e tyre më të besuar.

E dyta, më shumë sesa për rezultatin elektoral, ata janë të fokusuar tek ajo që duket se u mungon më shumë në këto momente: Përzgjedhja e njerëzve mbi bazën e besnikërisë ndaj LSI. E treta, kjo dëshmon se situata për Lëvizjen Socialiste për Integrim në Durrës, është alarmante. Në këto kushte, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, më shumë sesa për të përsëritur rezultatin e 2017, duken të interesuar për të fituar një mandat deputeti. A do ia dalin? Duke patur parasysh se është një qark që elektoralisht, funksionon ndryshe nga të tjerat, duket e vështirë. Kjo dilemë i shtyn që të jenë të fiksuar që tani, me fushatën në Durrës.