Në një video live nga QSUT nga pavioni 3 i COVID 3 i cili është hapur pas rritjes së fluksit të pacientëve me COVID, Zv.Drejtorja e QSUT, Ariana Strakosha, u është përgjigjur akuzave se nuk ka kapacitete spitalore duke thënë se ky është një alarm fals. Më tej ajo ka deklaruar se pas ezaurimit të kapaciteve në 3 spitalet e para COVID, është gati edhe COVID 4.

Jemi pranë COVID 3 në pavionin e 3 apo në sektorin e 3, sepse ky spital është konceptuar në 3 pavione të mëdha. Sikurse e shihni kemi kapacitete shtretërisht të lirë për t’u shërbyer qytetarëve. Alarmi që janë pakësuar kapacitetet spitalore për momentin apo deri në skenarët aktualë nuk është i vërtetë sikurse e shikoni. Janë gati shtretërit në pritje të të sëmurëve. Në skenarët e parashikuar është në gjendje për të pritur të sëmurët edhe COVID 4, spitali tjetër natyrisht mbasi të mbushen të gjithë kapacitetet e spitaleve tjera COVID. Për të eliminuar këtë dyndje drejt spitaleve u bëj thirrje qytetarëve të zbatojnë rregullat. Nuk është sëmundje e lehtë nuk është shaka, duhet të evitohen baret, të ruhet distancimi, të evitohen baret e ditëlindjet. Ne të gjithë e luftojmë sëmundjen do e përballojmë akima më lehtë edhe fluksin e pacientëve që kanë nevojë për hospitalizim, tha ajo.