Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nxjerr për interes të subjekteve private gjashtë zona minerare. Sipas dokumentit zyrtar të publikuar nga MIE, procedura konkurruese do të jetë e hapur deri në 10 dhjetor. “Kërkohet që të realizohet aplikimi për leje minerare për zonat minerare konkurruese 270, 376/8, 121/6, 841/2, 70/12, 61, të miratuara në planet vjetore të viteve 2012, 2013, 2015, 2016 dhe 2019”, thuhet në ftesën e publikuar nga MIE.

Në total janë gjashtë zona ku zona e parë është ajo minerare Nr. 270, Objekti “Vlorë”, Qarku Vlorë, lloji i mineralit ranor pllakor dhe veprimtaria shfrytëzim. Vlera minimale e investimit parashikohet të jetë 26 milionë lekë në vit. E dyta është zona minerare nr.96 376/8, Objekti “Konisbaltë”, Qarku Berat, lloji i mineralit gëlqeror, veprimtaria shfrytëzim. Vlera minimale e investimit është 19.5 milionë lekë në vit. E treta zona minerare nr. 121/6, Objekti “Zall Herr”, Qarku Tiranë, lloji i mineralit gur gëlqeror, veprimtaria shfrytëzim me vlerë investimi minimal 19.5 milionë lekë.

Zona e katërt është ajo minerare nr. 841/2, Objekti “Zhabjak”, Qarku Tiranë, lloji i mineralit konglomerat, veprimtaria shfrytëzim. Edhe në këtë rast vlera minimale e investimit e kërkuar për një vit është 19.5 milionë lekë. Zona e pestë minerare është ajo nr. 70/12, Objekti “Lepenicë”, Qarku Vlorë, lloji i mineralit gëlqeror i mermerizuar, veprimtaria shfrytëzim. Vlera minimale e investimit për një vit prodhim minimal është 26 milionë lekë. Zona e gjashtë minerare është ajo nr. 61, Objekti “Lazarat”, Qarku Gjirokastër, lloji i mineralit gëlqeror, veprimtaria shfrytëzim me vlerë minimale investimi 19.5 milionë lekë. Oferta duhet të përfshijë dokumentet standarde për plotësimin e kritereve kualifikuese që lidhen me objektin e procedures konkurruese, si dhe ofertën tekniko-financiare. Një ofertues duhet të paraqesë vetëm një ofertë.