Deputeti socialist Taulant Balla nuk i ndahet akuzave ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, për hetimin e krimeve të supozuara të UÇK-së. Në Facebook, Balla ka postuar një video, me dëshmi nga intervista e Adnan Merovcit në Hagë, ku kishte thënë se Bashën e njihte si përkthyes, por për habi ai nuk figuronte si përkthyes në listën zyrtare të Gjykatës së Hagës. “Me çfarë statusi gjendej Lulzim Basha…?”, pyet Balla.

Reagimi i plotë i Ballës: HAPEN DOSJET DHE DALIN DOKUMENTAT E HAGËS Me çfarë statusi gjendej Lulezim Basha në dhomën ku pyetej shoqëruesi i Rugovës në Hagë, në vitin 2000? Pse Adnan Merovci u pyet nga gjykatësi për Lulzim Bashën dhe statusin e tij? Pse “përkthyesi” Lulzim Basha nuk ishte një përkthyes i listuar tek lista zyrtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës?

Kujtojmë se Adnan Mervoci, ish-shoqëruesi i Presidentit Ibrahim Rugova është pyetur në Gjykatën e Hagës në seancën gjyqësore kundër Vlastimir Djordjevic, ish-Zëvendësministër i Brendshëm i Serbisë, përgjegjës për shumë krime në Kosovë. Merovci dëshmon se është pyetur për një cështje tjetër ndaj ish-Presidentit Milutinoviç dy herë, një herë në Prishtinë e më pas në Hagë në prill të vitit 2000.