Boksieri britanik Tyson Fury, kampion bote në peshën e rëndë, u shpreh se nuk do të përballet më kurrë me Deontay Wilder. Ai nuk ia fal kurrë rivalit deklaratat për parregullsi dhe mashtrim në duelin e dytë. Wilder dhe stafi i tij thanë se dorezat e Fury kishin parregullsi, gjë që është hedhur poshtë nga britaniku. Në duelin e dytë mes tyre zhvilluar në shkurt të këtij viti, Fury fitoi me “KO teknik” ndaj Wilder në raundin e shtatë, duke u shpallur kampion bote në peshën e rëndë (kategoria WBC).

“Fillimisht duhej të përballeshim më 27 korrik, por Wilder u tërhoq pasi ishte i dëmtuar. Më pas vendosëm për datën 18 tetor, por sërish nuk arritëm marrëveshje, pasi ata deshën një vend për fansat. Në fund vendosëm për datat 5, 12 apo 19 dhjetor. Unë isha dakord me të trija këto data, por sërish nuk patëm marrëveshje. Unë nuk pres përgjithnjë”, tha Fury.

“Unë shoh përpara, nuk rri në një vend, kam pranuar çdo datë dhe vend që ata kanë propozuar. Tashmë kjo çështje nuk më përket më mua. Ata kanë mbyllur punë me mua. Wilder u përpoq të justifikonte humbjen, duke thënë gënjeshtra për mua. Për parregullsi. Me këto që tha, nuk do t’ia jap kurrë më mundësinë të duelojë me mua. Nuk ia fal ato që ka thënë”, tha Fury.