Tiranë, 10 Nëntor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e ftuar në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, i është përgjigjur pyetjes për kryerjen e testeve të shpejta në vendin tonë, duke u shprehur se pritet që të vijnë, ndërkohë që janë hartuar dhe udhëzimet përkatëse mbi përdorimin e tyre.

“Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion buxhet për testet e shpejta. Kemi aplikuar pranë Bashkimit Europian, në instrumentin “Joint Procurement”. Komieti i Sigurise i BE, ka vendosur cilat janë testet e validuara dhe për të bërë dhe prokurimin e testeve që kanë specificitetin e lartë, që ne ta kemi këtë test, pra janë 2 testet që janë të validuara, dhe janë të parakualifuara nga OBSH me të cilën po bashkëpunojmë që përmes prokurimeve të përqendruar do të blejmë edhe testet e shpejta”, bëri me dije Manastirliu.

Manastirliu gjatë bisedës në studioritheksoi që testimet janë katërfishuar që nga muaji qershor, ndërkohë që tha se që nga sot me vendim të Komitetit të Ekspertëve do të bëhet raportimi edhe i numrit të testeve që kryhen në strukturat private.

“Ne në raport me privatet sot testojmë më shumë. Flas për ata që kanë referencë për diagnozë. Nga sistemi publik ndiqen të gjith raste që kanë shenja apo simptoma por edhe gjurmohen kontaktet e afërta. Ndërkohë që testet që bëhen për depistim, për çeshtje administrative sigurisht janë më shumë. Sot kemi filluar një raportim, kjo edhe në bazë të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për të raportuar të gjithë testet që kryhen në Shqipëri gjatë 24 orëve. Në ditën e sotme ne kemi raportuar rreth 2700 testime të kryera në total”, tha Manastirliu.