“Shqipëria është e gatshme të kontribuojë në strategjinë e peshkimit 2021-2026″, tha ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi gjatë një komunikimi online në Komisionin e Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun (GFCM) me 20 homologë nga vende të ndryshme.

Në Komisionin e Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar sot u ndanë pikëpamjet për sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të peshkimit dhe akuakulturës në Detin Mesdhe dhe në Detin e Zi, në kuadër të hartimit të strategjisë së re 2021-2026.

Gjatë komunikimit, Çuçi theksoi se, “strategjia që do të miratojë GFCM për pas vitit 2020, do duhet të jetë një instrument efikas për të gjitha shtetet, në mënyrë që të kontrollojmë dëmet e shkaktuara në ekonomi nga kriza e COVID- 19, duke stimuluar sa më shumë investime private në sektorin e ekonomisë blu”.

“Si vend që është në proces anëtarësimi për në BE, Shqipëria ka bërë përparim të madh në menaxhimin e qëndrueshëm të sektorit të peshkimit dhe akuakulturës falë edhe bashkëpunimit të shkëlqyer me GFCM”, tha ai.

“Shqipëria është gatshme të kontribuojë në këtë strategji dhe në çdo nismë e projekt tjetër që ndihmon zhvillimin e qëndrueshëm të peshkimit dhe akuakulturës”, tha Çuçi.