Tirana Airport Partner publikoi sot rregullat e reja të udhëtimit për pasagjerët që udhëtojnë drejt Gjermanisë me leje qëndrimi ose pasaportë. Duke iu referuar Qeverisë Gjermane, TIA bën të ditur se pasagjerët të cilët kanë qëndruar në Shqipëri në dhjetë ditët e fundit duhet të regjistrohen para arritjes së tyre në Gjermani në: www.einreiseanmeldung.de dhe të kenë me vete dëshminë e regjistrimit gjatë hyrjes.

Sipas TIA-s, vetëm viza e lëshuar nuk iu jep automatikisht të drejtën e hyrjes në Gjermani. “Në parim është Policia Federale ajo që në momentin e arritjes tuaj në një aeroport gjerman ose në një kufi gjerman vendos se a do të lejojë hyrjen”, bën të ditur TIA. Qytetarët duhet të jenë të informuar rreth kufizimeve të aplikueshme të hyrjes në Gjermani.

Nuk mund të përjashtohet mundësia që Gjermania të rivendosë kufizime të hyrjes ose të shtrëngojë kufizimet ekzistuese të hyrjes nëse përkeqësohet situata e pandemisë Covid-19. Prandaj, rekomandohet që pasagjerët të vizitojnë para udhëtimit të planifikuar faqen e internetit të Ministrisë Gjermane të Punëve të Brendshme.