Ditën e sotme u prezantua projektligji “Për miratimin e Buxhetit Faktik 2019”, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku një pjesë të rëndësishme zuri ecuria e borxhit publik.

“Borxhi publik gjatë vitit 2019 përgjithësisht u karakterizua nga një ecuri pozitive, duke qenë në përputhje me objektivat makro-fiskale, buxhetin e planifikuar për vitin 2019 dhe objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit (SAMB). Dua të theksoj se, në përputhje me objektivat makro-fiskale, niveli i borxhit publik në raport me PBB për të katërtin vit radhazi u vlerësua me rënie. Në fund të vitit 2019, borxhi publik u vlerësua në nivelin 1,112.6 miliard Lekë ose 65.9% e PBB.

Krahasuar me fundin e vitit 2018, niveli i borxhit publik në raport me PBB ka shënuar një rënie prej 2.0 pikë përqindje”, u shpreh Mimoza Dhembi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë Për të reduktuar dobësitë e lidhura me borxhin publik, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërmarrë disa masa për rregullime fiskale gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, reforma kundër informalitetit ka ndihmuar në rritjen e mbledhjes së të ardhurave, duke mbetur një prioritet i vazhdueshёm.

“Sa i përket menaxhimit të borxhit gjatë këtyre viteve, kemi zvogëluar risqet e ndryshimit të termave duke diversifikuar dhe zgjatur ndjeshëm maturitetin e borxhit tonë”, shtoi përfaqësuesja e ministrisë. Politika fiskale konsoliduese synon të mbajë trajektoren e rënies së borxhit publik nё raport me Prodhimin e Brendshёm Bruto që nga viti 2016.