Nga Enxhi Hoxha/

Dy rreshta histori nga kushdo që e njeh fare pak terrenin e faktimit të së shkuarës, dëshmitë rrënqethëse që e lexojnë ende sot të vërtetën në sy, busulla që e kufizon Shqiperinë me veten, suporti i elementeve historikë që flasin për një vazhdimësi ilire, plaçkitja përtej caqeve të së mendueshmes, dhuna më makabre e diskurit human, autenticiteti dhe vetëtima jugosllave, shërbehen si bipoli që vesh arsyen e ushtrimit vetëmbrojtës të strukturës legjitime, UÇK. Optika e zbehur nga tymrat shtrembërues të aktualitetit, qëndron stoike kur pastron arsyet e betejave në funksion të pushtimit dhe justifikon shumëfish ato të proteksionit brenda pragut, sikundër ishte lufta plotësisht e drejtë e UÇK. “E keqja më e madhe ne shqiptarëve na vjen prej vetvetes, prej njëri-tjetrit, s’kemi dashuri por inate e mllefe, asgjë tjetër”- citoj këtu At Zef Pllumin, dëshmi që sot konstatohet më e prekshme se kurrë.

Gjyqi që sot mbahet pa teklif dyerve të Hagës nuk është i pari që tenton njollosjen e pafajësisë së UÇK, me gjasë as i fundit. Hetimi i viktimës është paradoksi që dergjet mbi letrat e aktakuzës ndaj Thaçit e Krasniqit, një lëvizje me pretendimin satirik për “shah-mat”, që risillet turpshëm duke dëshmuar se drejtësia e Hagës çalon. Në selinë juridike ndërkombëtare, duhet te jehojnë drithërimat e pllakosura në mijëra familje që u bënë dëshmitare fatkeqe të shuarjes së bijëve të tyre, pa asnjë faj, duhet të hapen kartat e spastrimit etnik albanofob, duhet të analizohen bilancet tragjike të shqiptarëve që u kanosej asimilimi pakohë, duhet të ndëshkohen autorët fuqiplotë të gjenocidit, duhet të mosfabrikohet e vërteta sfiduese. Kurdo që shiriti i akuzës stacionohet në çështjen e Kosovës, shfletohet makabriteti tronditës që destabilizon ekuilibrat diplomatike serbe, por kësaj here në djepin e proteksionit ish-jugosllav tundet një shqiptar, akt i paprecedentë. Një njeri jo i zakonshëm, eksponenti politik më i zhurmshëm i së djathtës, ish-ministri i vendit, lideri i opozitës së asgjëkundit, figura që u vesh me milionat abuzive të rrugës së Kombit, njeriu që atashohet në çdo sprovë me mungesë transparence, kandidati i vetëm i Tiranës që e rrëmbeu fitoren dhe mohoi garën, kryebashkiaku që e la kryeqytetin në harresë dhe ia zbrazi financat, kryetari që kritikohet pa teklif nga të vetët, hiç më pak se kaq është njeriu që fsheh krimin serb mbi Krushën e Madhe. Në intervistën e pak ditëve më parë, Basha pohoi angazhimin në Tribunalin e Hagës, por mohoi shërbesën e tij në raportin e Dick Marty-t. Mjegulla e turbulencës së atmosferës intimiduese të gënjeshtrave të politikbërjes, qartësohet kur ndeshet me faktin e patjetërsueshëm. Dy janë momentet antishqiptare të Bashës, të lexueshme lehtësisht nën dritën e së vërtetës absolute.

Ekipi demokrat i qeverisjes Berisha miratori nisjen e hetimeve për krimet e luftës së UÇK bazuar në raportin e Marty-t, një aprovim indirekt e suportues i tentativës për të shigjetuar UÇK-në si strukturë me mision transplantimin e organeve të ushtarëve serbë, skenar i hartuar në puzzle-in e “Shtëpisë së Verdhë”, pretekst i pashoq për të njehsuar UÇK në aktivitetin e trafikut njerëzor. Lulzim Basha, dikur ndër funksionarët më të lartë të UMNIK, mundësonte përgatitjen e dosjeve që i kaluan Marty-t dhe kolapsuan pafajësinë e Kosovës, duke stimuluar gjyqin që sot mbahet turpshëm në emër të përdhosjes së sakrificës, duke turfulluar vetëflijimin për liri me masakrën serbe, duke ulur pafajësinë në tryezën e të pandehurit. Një tjetër dëshmitar, Milaim Bellanica, njeriu që s’iu tremb vdekjes guxoi të filmonte gjithçka ndodhi në bombardimet ish-jugosllave në fshatin e Krushës së Madhe, një prej tetë masakrave më famëkeqe të Kosovës.Dita më e errët e banorëve të atij fshati, ende s’është zbardhur, pas 20 vitesh në varret që shifrat s’mjaftojnë, ka ende vende bosh, skelete që s’kanë gjetur strehë. Bellanica guxoi, sepse s’duhej kurrësesi që e shkuara të mbetej e panjohur, sepse një e tillë s’duhej të riciklohej në të ardhmen, sepse brezat s’duhet të lexojnë ekuacionin e imponuar nga të huajt, sepse pafajësia e Kosovës do duhej të jetonte pakohë. Kasetën e asaj dite, besimplotë, Bellanica ia dorëzoi Bashës, me shpresën e padyshimtë se do ia rikthente e se Basha do të rreshtohej në avokatinë e UÇK. Vite më vonë, teksa paralel mbahet Tribunali Special kundër Thaçit, Veselit e Krasniqit, Basha mohon takimin me Bellanicën, duke heshtur për të vërtetën.

Heshtja e Bashës dhe ping-pongu me propagandën në emër të COVID-19, thellon vuajtjen e shqiptarëve të Kosovës, legjitimon ëndrrat e vrara, frymën e marrë, varret masive, ndjenjën se të qenurit shqiptar është “faj”, zbrazëtinë e lënë pas, cektësinë e pasqyrimit të forcës, makabritetin e pashembullt, baltosjen e ofruar. Kandidatura e Bashës mund të ratifikohet e ripërtërihet në kryesinë e PD, por kurrë në qeverisjen e vendit, shërbesa ish-jugosllave s’mund të qeverisë Shqipërinë e së nesërmes. Mandati i ardhshëm i vendit, duhet të distancohet nga valvitjet e flamunjve albanofob, kanalizimi i progresit e refuzon Bashën si potencial, e kryqëzon si zyrtarin që punoi kundër interesave të Kosovës, së cilës minimalisht i detyrohet një ndjesë publike… Mungesa e saj dhe nënvlerësimi i qëllimshëm i mprehtësisë së çështjes nuk do ta shërbejnë Bashën si më pak fajtor, kurrë!