Tashmë është e qartë se baza e materialit hetimor të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe krerëve të UÇK-së ishte pikërisht raporti i Dick Marty-t, senatorit zviceran që e ktheu në rezolutë të Këshillit të Europës. Por ai raport u bazua tek libri i Carla Del Pontes, ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Gjuetia që flet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë”.

Pas botimit të librit, disa hetues të Gjykatës së OKB-së për ish-jugosllavinë nisën të hetojnë për Shtëpinë e Verdhë, madje edhe erdhën në fshatin Gurrë të Matit, ku nuk arritën të zbulojnë asnjë fakt, megjithëse në fillim u maskuan si gjeologë e gjeometër rrugësh. Në ato vite, Jose Pablo Baraybar, një antropolog peruan që ishte në grupin e hetimeve të prokurorisë së Hagës pati dhënë një intervistë në gazetën zvicerane Le Temp, ku thekson se kishte edhe një përkthyes shqiptar i cili quhej Lulzim Basha. Materiali i kësaj gazete u publikua në vitin 2010. Në kohën kur Gjykata e Hagës nisi hetimet, Lulzim Basha ishte i punësuar në Kosovë si pjesë e administratës ndërkombëtare të OKB-së.

Përkthyes im quhej Lulëzim Basha, dhe ai ka punuar si mbledhës të dhënash përmes përkthimit për Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish- Jugosllavinë (ICTY). Më vonë ai u bë Ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe unë e kam dëgjuar vitin e kaluar të deklarojë se kjo histori e organeve është asgjë.

Tani unë po them çfarë ai ka thënë. Ai ishte me mua. Ai ka regjistruar dëshmitë bashkë me mua. Ai kishte dosjen”, tha Jose Pablo Baraybar, antropolog mjeko-ligjor nga Peruja, i cili ka punuar si një ekspert i OKB-së në pjesën më të madhe të skenave të krimeve të luftës dhe genocidit në botë si në Haiti, Ruanda, Bosnjë, Kroaci dhe natyrisht Kosovë.

Mjeku ligjor, thekson në intervistë se së bashku me Bashën ata kanë qenë në Gurrë të Matit të kamufluar. Gjatë hetimeve u jemi prezantuar njerëzve si inxhinierë për të ndërtuar një rrugë. Gjatë bisedave kemi bërë dhe pyetje në lidhje me kampet e UÇK-së. Qëllimi ynë kryesor ishte varreza në Bicaj, në jug të Kukësit, ku sipas dosjes që ne kishim ishin trupat e serbëve të Kosovës. Dick Marty flet gjithashtu për këtë. Ne e kemi pasë identifikuar. Ne kishim të dhëna, por nuk e kishim të mundur të shkonim në Bicaj, deklaronte ai.

Kreu i PD-së nuk ka folur asnjëherë për të sqaruar këtë çështje, por në mënyrë tangenciale e ka mohuar. Në një intervistë për gazetën Shekulli në vitin 2010, peruani, Jose Pablo Baraybar, i cili u pyet se Basha thotë se nuk ka qenë pjesë e hetimeve, u përgjigj, duke dhënë detaje të tjera:

Lulzim Basha ka qenë me mua në një vizitë që bëmë në Kukës dhe rrethina, për të parë bazën e UÇK-së në Kukës dhe një indikacion, se në fshatin Bicaj mund të kishte pasur njerëz të varrosur. Ishim me një Land Rover me targa britanike, dhe kam idenë që duhet të ketë qenë pranvera e 2003-it. Pas Kukësit u nisëm për në Bicaj, dhe folëm me disa fshatarë. Basha ka qenë përkthyesi im në atë udhëtim.

Dhe duke i referuar qëndrimeve të kreut të PD-së që atëherë mohoi se ka qenë përkthyes i këtij zotërisë deklaroi për Shekullin:Ndihem i zhgënjyer nga reagimi i z.Basha. Ajo që mund të them është që zhgënjehem nga reagimi i Bashës kur thotë që këto gjëra janë shpifje. Ai ka qenë në dijeni të hamendësimeve / akuzave për sjellje të serbeve dhe shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri pas lufte për shkak të punës së tij në Ministrinë e Drejtësisë.

Kjo nuk do të thotë se këto hamendësime / akuza ishin të vërteta, por as se ishin gënjeshtra. Vetëm një investigim i plotë mund të japë vulën përfundimtare në to. Prandaj ai nuk duhet të thotë menjëherë se këto janë gjëra që nuk kanë ndodhur dhe absurditete, dhe të përdorë parulla nacionaliste, sepse ai e dinte se për çfarë bëhej fjalë – theksoi Baraybar, në intervistën e dhënë në 20 dhjetor 2010. (Tema)