Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtyrë me një muaj afatin për dorëzimin e ofertave të kompanive që kanë interes për të ndërtuar segmentin 115 kilometra të gjatë të autostradës Milot-Fier.

Gara për rehabilitimin e aksit ekzistues nga Lushnja në Fier dhe ndërtimit të 53 kilometrave rrugë të re Milotë–Lekaj u hap më 9 Korrik, ndërsa ishte lënë si afat dhënia e ofertave brenda datës 28 Shtator.

Qeveria vendosi shtyrjen edhe me 30 ditë të tjera të procesit të prokurimit, pas kërkesës së operatorëve ekonomikë se i nevojitej më shumë kohë për të bërë plotësimin e dokumentacionit.

Tenderi ndërkombëtar bazohet në formulën e dhënies së një koncesioni në këtë segment, ku do të jetë kompania e cila do të investojë 1.18 miliardë Euro me fondet e veta, të cilat më pas do t’i kthehen përmes tarifës 7.5 Euro për 100 kilometra që do të vendosen për automjetet që do të kalojnë atje.

Buxheti i shtetit i garanton kompanisë vetëm 10% të vlerës së investimit, jo më shumë se 118 milionë Euro në 16 vitet e para.

Në skenarin bazë, llogaritet që prej nisjes së aplikimit të tarifës në vitin 2024, e deri në fund të kthimit të autostradës në pronësi të shtetit pas 35 vjetësh, të ardhurat nga tarifa të arrijnë në 4.1 miliardë Euro.

Gara do të përzgjedhë fituese ofertën e cila do të pranojë të ndajë përqindje më të lartë me shtetin nga të ardhurat shtesë që do të vilen, të kombinuar me çmimin më të lirë të tarifës së kalimit.

Paralelisht me ndërtimin e aksit të ri, i cili do të jetë i kategorisë së një rruge me shpejtësi të lartë, do të ndërtohen edhe rrugë dytësore për automjetet që do të zgjedhin të udhëtojnë pa pagesë.