Armando Dobra vazhdon të shkëlqejë në Angli, aty ku është pjesë e Ipsuiçit. Së fundmi talenti shqiptar ka qenë pjesë e ekipit të parë, ku nuk zhgënjeu. Ipsuiç luante ditën e djeshme me Gilingam, në Kupën e Anglisë ku fituan 2-0, me Dobrën që ishte një nga protagonistët kryesorë.

Në minutën e 57’, pas një pasimi të marrë jashtë zone, shqiptari lëviz bukur dhe lëshon një predhë me të djathtën, me topin që përfundon në fundit e rrjetës, duke mos i lënë asnjë mundësi për të reaguar portierit kundërshtar, që u mundua të bënte maksimumin për ta ndalur.

Ky ishte goli i parë për Ipsuiçin, të cilët shënuan edhe njëherë në minutën e 75’, me Folami, për të vulosur kualifikimin. Dobra nuk është grumbulluar me Kombëtaren Shpresa për ndeshjet e muajit tetor, teksa sipas trajnerit Alban Bushi, për shkak të pandemisë shumë lojtarë e kanë pasur të pamundur për t’u bashkuar me kombëtaren.