Me mbështetjen e SHBA, Shqipëria është afër bërjes realitet të ëndrrës 50 vjeçare për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Ishte vetë zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për rritjen ekonomike dhe mjedisin, Keith Krack i cili bashkë më ministren e ekonomisë dhe financave Anila Denaj hodhën firmat në një memorandum bashkëpunimi, i pari këtij lloji pas marrëveshjes ekonomike mes dy vendeve në vitin 1992.

Ndërsa ministria e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Ballaku nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me presidentin për Europën të kompanisë amerikane Bektel.

Top Channel mëson se pala amerikane është angazhuar në dhënien e një kredie me terma të buta prej rreth 500 milion dollar, dhe do të shlyhet nga vetë hidrocentrali kur të nisë prodhimin e energjisë. Kjo marrëveshje i jep fund përpjekjeve nga palët e interesuara përfshi Kinën në ndërtimin e kësaj vepre madhe hidroenergjitike.

Memorandumi dhe marrëveshja shihen nga kryeministrin Edi Rama si çelja e një kapitulli të ri në rrugën e bashkëpunimit me SHBA.

Fjala e Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit u dominua nga falënderimet dhe vlerësimet për qeverinë shqiptare e cila u distancua nga teknologjia kineze 5G.

“Zoti Kryeministër ju jeni me të vërtetë një lider dhe jam kaq i lumtur që kemi mundësi të hapim këtë kapitull të ri dhe të und ta çojmë partneritetin tonë në një nivel tjetër. Dëshiroj t’ju falënderoj për udhëheqjen tuaj në çështjen kritike të sigurisë 5G dhe në angazhimin e qeverisë shqiptare për iniciativën Rruga e Pastër. Jam gjithashtu i entuziazmuar të dëshmoj nënshkrimin e një marrëveshje mes kompanisë më të madhe të ndërtimit të Amerikës Bechtel dhe Shqipërisë për Skavicën, për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicë. Ky është një projekt ambicion shumë i nevojshëm që të ofrojë siguri energjetike dhe përfitime mjedisore për Shqipërinë’, Keith Krack.