Sot, u prezantua raporti i GRECO-s i cili, në në Raundin e Katërt të Vlerësimit për Shqipërinë pohon arritjet e vendit në luftën kundër korrupsionit, duke vlerësuar se janë përmbushur 9 nga 10 rekomandimet e këtij institucioni. Në praninë e Ambasadorit të BE në Shqipëri Luigi Soreca dhe të Ambasadores së SHBA Yuri Kim dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, Kryeministri Rama tha se vendet e zhvilluara nuk janë imune ndaj korrupsionit.

“Lufta ndaj korrupsionit është në thelb luftë për modernizimin e shtetit. Është alternativa e shtetit kur ai mungon në shërbim ndaj qytetarëve, kur është i padisponueshëm për të dhënë atë që secilit i takon. Dhe kur shteti është i pafuqishëm për të vendosur interesin publik mbi interesa të ndryshme private. Dallimi i vendeve të zhvilluara nga ato në zhvillim, në aspektin e korrupsionit nuk është një dallim mes popujve. Vendet e zhvilluara nuk janë imune ndaj korrupsionit, por kanë sisteme që e bëjnë tejet të vështirë korrupsionin, e këto janë prova që nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por sistemet që korruptojnë njerëzit. Kjo është një luftë për të krijuar sisteme imune ndaj korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri për të krijuar sisteme që ta përballojnë atë luftë, ka nisur me reformën në drejtësi.” – tha Edi Rama, duke shtuar se reforma në drejtësi është garanci për të ardhmen e të rinjve shqiptar.

“Reforma në drejtësi është hap kyc në drejtësinë tonë, është reformë historike dhe garanci për të ardhmen e fëmijëve tanë që pikërisht nga këtu fillon puna për një shtet me sistem të drejtësisë imun”. Rama theksoi se një nga avantazhet e reformave në sistemin e drejtësisë është se sot flitet për korrupsionin me fakte, ndërkohë që deklaroi se gjyqtarët e prokurorët e korruptuar janë fajtorët kryesor për përhapjen e këtij fenomeni në Shqipëri.

Sipas Kryeministrit nëse gjykatësit dhe prokurorët nuk do të dënohen, nuk mund të kemi iluzione që kjo do të ndodhë në shkallë më të larta të pushtetit. Ai tha se reforma në drejtësi po bën ‘kërdinë e duhur’ dhe sistemi i ri i drejtësisë në vend varet nga suksesi i kësaj reforme. “Kjo është premisa që e bën SPAK-un institucionin që kemi shpresuar të gjithë se do të ishte. Përndryshe do të kthehet në zhgënjimin më të madh për të gjithë dhe dështimin më të madh.”

Rama theksoi ndryshimet që kanë ndodhur në fushën e punësimit për shkak të reformave kundër korrupsionit, duke theksuar se si mësuesit, ashtu edhe infermierët hyjnë në punë përmes portalit, apo se si edhe për studentët nepotizmi është shuar që nga krijimi i sistemeve të reja të pranimit në universitete. Kryeministri deklaroi se rekrutimi për punën në administrate apo programet e veçanta për punësimin e të rinjve ekselentë janë përgjigjja e duhur për ata që akuzojnë për ‘propagandë’.

Hapi më i ri në luftën kundër korrupsionit, sipas Kryeministrit Rama është revolucioni i digjitalizimit të shërbimeve publike, që deri tani ofrohen online deri në masën 95%. Ai theksoi se gjatë karantinës ishte meritë e digjitalizimit që vazhduan të ofroheshin shërbimet për qytetarët pa rr ezikuar infektimin e tyre nëpër rradhë të gjata burokratike. Rruga përpara, theksoi Kryeministri është modernizimi dhe modernizimi vjen përmes digjitalizimit, ndërsa korrupsioni mbetet një sinonim i prapambetjes.