Qeveria portugeze njoftoi sot qëllimin e saj për t’i kërkuar Parlamentit që të ligjërojë përdorimin e detyrueshëm të maskës në ambientet e jashtme, si edhe shkarkimin e një aplikacioni për gjurmimin e kontakteve.

“Ne do të paraqesim në Kuvendin e Republikës një projektligj, me natyrë urgjente, i cili e bën të detyrueshme mbajtjen e maskës në ambientet e jashtme, kur ka persona të tjerë në këto ambiente”, tha kryeministri portugez Antonio Costa pas një takimi me kabinetin, ku u morën një sërë masash për frenimin e epidemisë së COVID-19. Deri më tani, përdorimi i një maske në rrugë është rekomanduar në situata kur është e pamundur të respektohen rregullat e distancimit shoqëror.

Gjithashtu, masa më të ashpra do të miratohen në Portugali nga e enjtja e tutje, për të frenuar nivelet rekord të rasteve të reja të COVID-19. Tubimet do të jenë të kufizuara në pesë persona. Në dasma dhe pagëzime mund të marrin pjesë maksimalisht 50, por festat universitare do të ndalohen. Gjobat për bizneset, që nuk janë në përputhje me rregullat, do të dyfishohen nga një kufi i sipërm prej 5 000 në 10 000 euro.

Ekzekutivi socialist, gjithashtu, dëshiron të bëjë të detyrueshëm shkarkimin dhe përdorimin e aplikacionit të gjurmimit të kontakteve, i krijuar nga autoritetet portugeze, të paktën në kontekstin profesional, shkollor, akademik, si edhe brenda policisë dhe forcave të armatosura dhe pastaj në të gjitha administratat publike.