Kryeministri Edi Rama ishte sot në lagjen Lugina në Shijak, ku ka përfunduar infrastruktura nëntokësore për rindërtimin nga themelet të 30 pallateve, për strehimin e 500 familjeve.

Rama tha se “banorët përfitues nga programi i Rindërtimit që do të kenë jo vetëm apartamente më të bukura e të sigurta, por edhe një hapësirë urbane të rikonceptuar me të gjitha shërbimet e nevojshme, krahas 6 shkollave të reja në qytetin që do ndryshojë rrënjësisht nga përpjekja për Shijakun që duam dhe për Shqipërinë që duam”.

Kryeministri theksoi se “projekti këtu është spektakolar dhe ajo që duhet është t’i qëndrojmë mbi kokë që të mos çedojë cilësia”.

“E keqja ndodhi, por ishte në këtë aspekt bekim për Shijakun. Shijaku do bëhet si stacion edhe për turistët megjithë këto ndryshime që do të ndodhin. Turistët që do të vijnë gjatë verës do ta kenë si stacion pasi kanë detin afër”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana tha se “lagjja Lugina është një nga lagjet më të prekura nga tërmeti i nëntorit”.

“Kemi bërë të gjitha shembjet e pallateve dhe evadimin e mbetjeve për t’i hapur rrugë infrastrukturës së brendshme që është në fazën e fundit të përfundimit dhe më pas brenda muajit nëntor ne vazhdojmë edhe hapjen e plateve për pallatet”, tha Arbana.

Ai tha po ashtu se “të gjitha familjet janë përfituese të bonusit të qirasë”.

“Do të jenë 25 mijë metër katror ndërtime nga të cilat 30% e dizenjuar për parqe dhe hapësira të gjelbra. Kanë qenë 20 pallate dhe janë 500 familje që do të përfitojnë nga programi i rindërtimit me kushte më të mira”, tha Arbana.