Organizata Botërore e Shëndetësisë jep shpresë se vaksina anti-Covid mund të jetë gati brenda këtyre tre muajve.

“Ka shpresë se në fund të këtij viti ne mund të kemi një vaksinë”, tha drejtuesi i OBSH.

Deklaratën, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së e bëri në përfundim të takimit dyditor me pjesëtarët e bordit drejtues të organizatës ku konfirmoi së po bëhen përpjekje të mëdha për ta nxjerrë sa më shpejt vaksinë.

Aktualisht, pjesë e nismës COVAX të OBSH-së i janë bashkuar 9 kompani nga e gjithë bota që po zhvillojnë vaksinën. Kjo nismë synon lehtësimin e shpërndarjes së mbi 2 miliardë dozave të vaksinës deri në fund të 2021-shin në 168 vende të botës, kryesisht për ato që kanë më shumë nevojë.

Në pritje të një vaksine, shumë vende të botës po përpiqen të frenojnë infektimet me ashpërsim masash anti-Covid. Nga e enjtja, italianët do të mbajnë maska edhe në ambientet e jashtme.

Parashikohen gjoba deri në 1 mijë euro për shkelësit. Në Berlin u urdhërua mbyllja e barëve dhe restoranteve nga ora 23 e natës deri në 6 të mëngjesit. Autoritetet franceze japin alarmin se deri në fund të tetorit, nuk do të ketë më shtretër bosh në terapinë intensive, për shkak dyndjes masive në spitale. Çekia shënoi rekordin absolut me mbi 4 mijë infektime ditore.