Nga Alfred Peza/

Ka gjithmonë e më pak enigma, rreth pozicionimit të palëve politike në garën elektorale të 25 prillit 2021, në anën e kampit opozitar. Është bërë pothuajse plotësisht e qartë se përballë PS, do të jenë të paktën, tri koalicione parazgjedhore opozitare.

PD pritet që të jetë në një listë të përbashkët me të gjithë aleatët e saj të vegjël të “Opozitës së Bashkuar”. Ndërsa LSI megjithëse bëri gjithçka këto 4 vitet e fundit, që të ishte pjesë e kësaj opozite, me sa duket nuk ia doli që të unifikohej me të. Ndaj edhe sot, nëse i referohesh deklarimeve të vetë liderëve të partive të vogla aleate, ajo mbeti një “mish i huaj” për trupin e të djathtës shqiptare.

Historiku i krijimit, pozicionimi në spektrin politik shqiptar dhe origjina e mbështetësve dhe e votuesve, e bën LSI një parti të majtë. Ky përcaktim dhe të tjerë të bëra nga zërat brenda kampit opozitar, mund të jenë më së shumti për arsye konkurence. Sepse duke larguar kandidaturat e LSI nga lista e përbashkët e koalicionit opozitar që do të mblidhet rreth PD, ka më shumë hapësirë për Dashamir Shehin, Nard Ndokën, Shpëtim Idrizin, Agron Dukën, Vangjel Dulen e Fatmir Mediun.

LSI me gjithë përpjekjet e saj dhe të Ilir Metës për të qenë shpeshherë edhe më ekstremë se vetë Lulzim Basha në raport me PS dhe Kryeministrin Edi Rama, nuk ia doli që të ruante apo të shonte radhët e saj me opozitarë dhe votues tradicionalisht të së djathtës. Është për këtë arsye, se përse Kryetari i Shtetit muajt e fundit po bën gjithçka për të peshkuar në ujërat e së majtës politike, ideologjike dhe elektorale. Mjafton të kujtojmë për këtë, aktet e dekorimeve “pa doganë” për shumë personazhe dhe simbole të së majtës historike.

Përtej të gjithave, fakt është se Lulzim Basha pritet të udhëheqë koalicionin më të madh opozitar rreth Partisë Demokratike. Ndërsa Ilir Meta, koalicionin tjetër opozitar të partive të vogla “të vjetra”, të udhëhequr nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Këto dy koalicione parazgjedhore, janë pjesë e opozitës jashtëparlamentare.

Ndërsa koalicioni i tretë opozitar, pritet të krijohet nga partitë e reja politike që janë pjesë e opozitës së re parlamentare dhe forca që nuk kanë qenë pjesë e aksionit të “Opozitës së Bashkuar” këto vite. “Lëvizja Demokratike Shqiptare” është partia me e re që është regjistruar tashmë zyrtarisht, e përbërë nga 4 deputetë opozitare të Parlamentit. Sëbashku me partinë “Bindja Demokratike” të Astrit Patozit, pritet që të krijojnë boshtin kryesor të këtij koalicioni parazgjedhor.

Grupimi i forcave elektorale mbi bazën e kësaj arkitekture, i shkon më së shumti dinamikës aktuale të zhvillimeve në vend. Hyrja në fushatën elektorale me të paktën katër grupime të mëdha parazgjedhore, favorizon sipas sondazheve dhe ekspertëve më të mirë të fushës, mazhorancën qeverisëse. Sa më shumë grupime të krijohen përballë mazhorancës qeverisëse, aq më shumë copëzohet vota e opozitës. Ky reaksion elektoral, ul fuqinë e përballjes totale me PS, duke favorizuar fitoren e mandatit të saj të tretë qeverisës.

E gjitha kjo situatë, dëshmon se:

Së pari, Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi dështuan për tu unifikuar fuqitë e tyre përballë Edi Ramës. Tregues ky i një krize të thellë identitare, uniteti elektoral dhe lidershipi.

Së dyti, mosdalja me një lider të vetëm, me një listë kandidatësh për deputetë dhe një koalicion paraelektoral, dëshmoi se luf ta për lidershipin real të opozitës, prevaloi mbi qëllimin final të saj: lufta për rrëzimin e kreut të qeverisë.

Për aq kohë sa nuk ka paqe nën ullinjtë e opozitës, lu fta e pranverës së ardhshme, ka mbetur që tani për vjeshtë!