Një ditë më parë, anëtarët e Partisë Demokratike kanë votuar për të përzgjedhur mes 140 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit. Votimi ka shkuar i qetë në përgjithësi, përveç disa rasteve flagrante, ku kandidatë të ndryshëm, të frikësuar nga vota e anëtarëve të PD, kanë bërë presione nga më të ndryshmet. Por shumë demokratë të Kombinatit, gjatë gjithë kohës kanë qenë nën presion nga zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, e cila ishte kandidate në degën 6 në Kombinat. Ata janë shprehur se gjatë gjithë procesit të votimit në degën 6 në Kombinat, Ina Zhupa u ka bërë presion anëtarëve të PD, duke i kërcënuar se nëse votojnë kundër saj, do ta kenë armike gjithë jetën. Madje Zhupa ka shkuar deri aty sa i kapte anëtarët e PD-së, nëpër shkallët ku po zhvillohej procesi i votimit, duke i ndjekur nga pas dhe duke u bërë presion që të mos votojnë kundër saj.

Burime për Descript.al thanë se Zhupa ditën e djeshme ka qenë e shoqëruar edhe nga familjarët e saj, madje me vete kishte marrë edhe kushërinjtë. I gjithë procesi për kandidatët e tjerë ka shkuar qetë, por demokratë të Kombinatit janë shprehur të shqetësuar për sjelljen kërcënuese të Ina Zhupës. Edhe pse Zhupa ka përdorur gjatë gjithë kohës kërcënime, nga numërimi i votave, ajo ka marrë më shumë vota kundër, nga të gjithë kandidatët. Ina Zhupa shpesh herë është akuzuar për presione ndaj qytetarëve dhe bizneseve, ku pasi i ka denoncuar në profilin e saj në Facebook, ajo i ka fshirë postimet.
Një ndër personat që e ka akuzuar në mënyrë nominale për shantazhe dhe presione, ka qenë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Veliaj ka deklaruar se Zhupa bën denoncime në Facebook e saj ndaj bizneseve dhe pasi u merr lekët, i heq postimet.