Finalizohet puna për ngritjen e Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX). Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Kosovës kanë firmosur mes tyre Marrëveshjen e Aksionarëve si dhe miratuan Statutin e ALPEX. Njoftimin e ka bërë të ditur Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në rrjetin social, ku rendit edhe avantazhet që pritet të sjell ngritja e Bursës Shqiptare të Energjisë për të dyja vendet. Teksa e cilëson marrëveshjen si tepër të rëndësishme, ministrja Balluku shpreh mirënjohjen për grupet e punët të cilat u angazhuan për përmbylljen me sukses të këtij procesi.

“OST dhe KOSTT firmosën Marrëveshjen e Aksionarëve dhe miratuan Statutin e ALPEX duke përmbyllur kështu me sukses një procesi të gjatë të nisur qysh një vit më parë. ALPEX do të garantojë më shumë transparencë dhe konkurrencë në tregun e energjisë elektrike, si dhe do të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji. Gjithashtu, do të inkurajojë investime të reja në gjenerimin e energjisë elektrike si dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve ekzistuese të energjisë në të dyja vendet, Shqipëri dhe Kosovë. Krenare dhe mirënjohëse për punën e bërë nga të dy Operatorët për përmbylljen e kësaj marrëveshjeje kaq të rëndësishme”, shkruan Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Marrëveshja e Aksionarëve u firmos në Prishtinë mes drejtuesve të dy Operatorëve, Skerdi Drenova dhe Ilir M.Shala.

Themelimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike shënon një standard të ri të operimit në sektorin e energjisë, i cili do të garantojë më shumë transparencë dhe konkurrencë në tregun e energjisë elektrike, si dhe do të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ndërkufitare si dhe pritet që të ulet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët e të dyja vendeve. ALPEX do të inkurajojë gjithashtu investime të reja në gjenerimin e energjisë elektrike dhe në rrjetet e transmetimit në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve ekzistuese të energjisë në të dyja vendet.

Themelimi i Bursës Shqiptare të Energjisë është në përputhje me politikat e Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës për liberalizim të tregut të energjisë si dhe një nga objektivat e pakos së tretë të direktivave të Bashkimit Evropian për themelimin e Tregut të Brendshëm Evropian të Energjisë Elektrike (“IEM”) si dhe të vendimeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit përkatësisht Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë për themelimin e operatorit (bursës) për operimin dhe rrjedhimisht bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike një Ditë Para (DAM) dhe Brenda ditës (IDM), në një treg rajonal.