Projektbuxheti i vitit 2021 adreson rritje të fondeve me 33% për menaxhimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, në vitin 2021 informacioni për tokën (LIS) dhe integrimi në GIS do të realizohet në rreth 20 mijë ha tokë bujqësore, me një buxhet prej 27 milionë lekë, në qarqet Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Korçë.

Gjithashtu për vitin 2021 synohet ngritja dhe funksionimi i programit “Web GIS” publik, që do të ofrojë informacion online mbi tokën bujqësore si dhe do të mundësojë përdorimin dhe përditësimin e informacionit nga institucionet kompetente. Ndërkohë që dixhitalizimi i Regjistrit të Tokës Bujqësore (RTB) do të vazhdojë për 3 vite në 12 njësi administrative vendore dhe kryesisht do të fokusohet në zonat ku është mbledhur informacioni mbi tokën (LIS) dhe integruar në GIS.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për çdo vit pritet që të dixhitalizohen regjistrat për 4 njësi administrative. Menaxhimi i qëndrueshëm i tokës bujqësore, është një hap i rëndësishëm në nxitjen e transaksioneve të tregut të tokës me impakt në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në tërësi.