Numri i bizneseve të mëdha me xhiro mbi 14 milionë lekë që janë regjistruar në regjistrin e Tatimeve në vitin 2019 shënon një rritje me 4 310 biznese më shumë krahasuar me vitin 2013. Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa të dhëna nga regjistri i Tatimeve, mbi biznesin e madh me të ardhura 14 milionë lekë.

“Mirëmëngjes dhe me këtë të dhënë tjetër të regjistrit të Tatimeve të Republikës së Shqipërisë mbi numrin e bizneseve të mëdha, të cilat nga viti 2013 në vitin 2019 nuk janë mbyllur e pakësuar aspak, siç flitet papushim prej vitesh në havanë e përditshme, teksa faktet injorohen me përbuzje e me lehtësinë më të madhe, ju uroj një fundjavë të mbarë”, tha Rama. Konkretisht në vitin 2013 regjistrohen 7448 biznese ndërsa në vitin 2019 janë regjistruar 11 758 biznese.