Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e ftuar në studion e Opinion, ka deklaruar se vendosja e maskave mbrojtëse është një mjet i rëndësishëm që pengon transmetimin e virusit dhe parandalon marrjen e këtij infeksioni nga personi tjetër.

Manastirliu tha se kush është pjesë e sistemit shëndetesor dhe të sëmurët rekomandohet të përdorin maska mjekësore ndërsa qytetarët mund të përdorin barriera mbrojtëse të krijuara vetë pasi edhe keto të fundit janë efikase. Në ditët me vijim Manastirliu tha se Udhëzuesi i miratuar nga ekspertët ka përcaktuar modalitetet e përdorimit të maskës dhe përjashtimit të maskës.

“Eshtë një moment shumë i rëndësishëm.

Ajo çfarë sot është një fakt i gjithëpranuar botërisht edhe shkencërisht, në studime shkencore të mbështetura është që: Maska apo barrierat mbrojtëse e reduktojnë përhapjen e koronavirusit kur ato shoqërohen me masën e distancimit social dhe ato të higjienës personale. Maska mjekësore dhe ajo kirurgjikale, është një maskë e cila përdoret nga personeli mjekësor, nga ai që është i sëmurë apo ai që duhet t’i shërbejë një të sëmuri. Maska që ne flasim sot është barriera mbrojtëse prej tekstili që pengon përhapjen e spërklave dhe shoqërohet me një distancim social,”  tha Manastirliu

Ministrja Manastirliu nënvizoi se është më mirë të vëmë maskë sot se sa të perballemi me mbylljen e bizneseve apo shkollave nesër.