Kryeministri Edi Rama komentoi lajmin se Bashkimi Evropian ka ndryshuar rregullat për shtetasit shqiptarët, që do duan të lëvizin drejt vendeve të zonës Shengen, të cilët do duhet të aplikojnë dhe të marrin një “ETIAS”.I pyetur nga gazetari i “News24” dhe “BalkanWeb”, Ergys Gjençaj, nëse ky është një kthim drejt vizave, kryeministri Rama tha se nuk bëhet fjalë fare për kthim pas, por është një filtër në funksion të politikës së sigurisë të BE kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

“Ka që në 2016 që flitet për këtë, por nuk bëhet fjalë fare për ndonjë kthim pas. Bëhet fjalë për një sistem sigurie të BE për të gjitha shtetet jo anëtare të BE, qytetarët e të cilave duan të hyjnë në BE dhe nuk kanë nevojë për vizë. Jemi në një shoqëri që besoj s’ka të sharë me amerikanët, zviceranët, britanikët, japonezët, që sipas këtij sistemi, do duhet që para se të nisen në BE, të bëjnë një aplikim online dhe ky aplikim nuk është për vizë. Thjesht e bën aplikimin, i cili futet në sistemi dhe ti merr konfirmimin nëse je apo jo i lejuar të hysh në BE, në bazë të kartelës kriminale.

S’ka lidhje fare kjo me qytetarët që s’kanë kartelë kriminale të regjistruar si person i lidhur me terrorizmin apo krimin e organizuar. Është e gjitha për shtetet që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në BE. Nuk është kthim mbrapa te viza, siç me siguri do të predikohet nga të gjithë ata që duan të përhapin erën e pusetës digjitale në Gjirin e Lalzit. Është thjesht një filtër në funksion të politikës së sigurisë të BE kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”, tha Rama.