Italia dhe Austria iu bashkuan sot shumë vendeve të BE-së, të renditura me të kuqe në variantin e përditësuar të hartës së re europiane të rekomandimeve të udhëtimit. “Shkalla e infektimi, nivelet e mbushjes së spitaleve, por edhe nivelet e vdekshmërisë, janë në rritje në të gjithë Europën”, paralajmëroi kreu i ECDC-së, Andrea Ammon, në një intervistë me BBC.

Në variantin e sotëm të hartës, vetëm Norvegjia është kryesisht në të gjelbër dhe, prapëseprapë, pa rajonin e Oslos, i klasifikuar në portokalli.

Harta, e krijuar nga Qendra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC), bashkon 27 vendet e Bashkimit Europian, Britaninë e Madhe dhe anëtarët e Zonës Ekonomike Europiane, si Norvegjia dhe Islanda. E aplikuar nga BE në fillim të tetorit, ajo synon të harmonizojë më mirë rekomandimet e udhëtimeve.