Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Evis Kushi mori pjesë sot në ecjen tradicionale të organizuar nga “YWCA of Albania” në lidhje me informimin dhe ndërgjegjësimin e grave e vajzave për parandalimin e kancerit të gjirit nën moton “Fjongo rozë më kujton”, ndërsa ka dorëzuar edhe çmim për një vullnetar të kësaj kauze. “Jam e lumtur që sot i dorëzova Çmimin e Vullnetarit të “Fjongos Rozë” Majlinda Xhamos, e cila drejton me shumë profesionalizëm Zyrën Vendore Arsimore Berat, duke u angazhuar njëkohësisht prej vitesh me iniciativa të ndryshme të “YWCA of Albania” dhe dhënë kontribut të vazhdueshëm në organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese në kuadër të “Fjongos Rozë të YWCA” – shprehet Ministrja Kushi.

Ndërkohë, Kushi nënvizon se “Fjongo Rozë” na kujton të gjithëve se shëndeti i grave dhe i vajzave nuk është i rëndësishëm vetëm për ta, por ka domethënie të veçantë për çdo familje, çdo fëmijë dhe për shoqërinë në tërësi. “Sa më të shëndetshme të jenë gratë dhe vajzat, aq më e shëndetshme është edhe shoqëria” – cilëson ajo. “Prandaj, vëmendja dhe kujdesi për gratë dhe vajzat duhet të jetë sa më i madh jo vetëm gjatë muajit tetor, por gjatë gjithë vitit. Një vizitë tek mjeku, një kontroll, një mamografi dhe diagnostifikimi i hershëm shpëtojnë jetë” – mbyll postimin e saj në Facebook, Ministrja Kushi.