Paralelisht me debatin e gjatë dhe dinamik për gjetjen e gjuhës politike mbi ecurinë e Kodit Zgjedhor, Partia Demokratike zhvilloi brenda saj një garë elektorale si tentative për t’i provuar forcave të tjera se cili është modeli zgjedhor që duhet ndjekur. Që në krye të prezantimit, “selia blu” promovoi intensivisht formulën e përgatitur dhe individët që do merreshin me implementimin e saj, duke e marketuar gjerësisht si një shembull ideal që zbatohej për herë të parë në Shqipëri. Siguria e plotë, gara e ndershme dhe mirëadministrimi transparent, ishin vetëm disa nga klauzolat publike që kryedemokrati Lulzim Basha ofroi si garanci për të gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike që synonte të bëhej pjesë. Por teksa ditët kaluan, gara ngushtonte akoma më tepër bashkësinë e individëve që mund t’i ofrohej një mundësi për të garuar në zgjedhjet e ardhme elektorale nën siglën e PD-së. Edhe pse reklamimi i kësaj nisme të brendshme kaloi kufijtë e Shqipërisë duke u pompuar si një mundësi e jashtëzakonshme, të paktë ishin prurjet nga jashtë vendit që besuan se mund të nisnin një karierë të re në Partinë Demokratike. Ndërkohë, nëse sot do të vërejmë përbërjen e listës, mund të konstatojmë lehtësisht se figurat e reja që mbijetuan nga formula mund të numërohen veç me gishtat e njërës dorë duke i lënë vendin po ish zyrtarëve të vjetër të PD-së, ish deputetëve, ish kryebashkiakëve, fëmijëve të pushtetarëve të vjetër, si dhe dy aktorëve njërit më serioz se tjetrit Robert Budinës dhe “mjeshtrit të madh” Julian Deda. Do të mjaftonte vetëm kjo listë emërore për të kuptuar që alternativa e ndryshimit ka lindur e vdekur. Ndryshe nga sa ishin shtruar pritshmëritë e kësaj gare, zgjedhjet e brendshme të PD-së risollën edhe njëherë në vëmendje nevojën e kësaj force politike për të pasur fillimisht për vete një Kod Zgjedhor, para se të ulen me forcat e tjera për të folur mbi rregullat e garës. Nëse vetë “selia blu”, nuk organizon një palë zgjedhje dinjitoze siç do t’i kishte hije alternativës që synon qeverisjen e vendit, atëherë është thuajse e pamoralshme që t’i imponosh forcave të tjera se si bëhet gara.

A mund të jetë modeli i zgjedhjeve që duan shqiptarët ajo që u zhvillua në Maliq, Devoll apo Kamzë? Le t’i shohim dinamikat e zhvillimeve njëra pas tjetrës: Në Maliq, demokratët kërkuan ripërsëritjen e votimeve pas ndërhyrjes së babait të Ervin Salianjit, Bujar Salianji në procesin e votimit ku duke qenë ish kryekomunar i Lozhanit çoi në qendrën e votimit dhjetëra persona të cilët nuk ishin anëtarë të Partisë Demokratike. Pas irritimit të demokratëve kritikë të cilëve po u mohohej vota, Salianji në bashkëpunim me sekretarin organizativ të PD-së Sahit Dollapi, mbyllën procesin pa i numëruar aspak votat dhe duke kualifikuar të gjithë kandidatët e degës. Trendi negativ i votimeve kundër ish deputetit, bëri që procesi i votimit të mbyllej në orën 14:20, në një kohë kur rregullorja që mban firmën e kryedemokratit Lulzim Basha, përcakton orën 18:00 si afatin përfundimtar. Edhe pse anëtarët e Partisë Demokratike në Maliq kërkuan ripërsëritjen e zgjedhjeve duke u shprehur se ish deputeti i ka shpëtuar eleminimit duke pasur komisionin zgjedhor në krahun e tij për të manipuluar procesin, kryedemokrati Lulzim Basha i vulosi si të mbyllura. Por a mund të jetë ky një proces model që mund t’i jepet shqiptarëve si shembull për zgjedhjet e përgjithshme të cilat janë një nga kushtet kryesore për anëtaresimin në familjen europiane? Përgjigja mund të gjendet qartë brenda kutive të panumëruara të Maliqit të cilat do të nxjerrin në garë nje njeri jashtë vullnetit të tyre.

Së dyti le të ndalemi në Devoll ku kryetari i degës Arben Miza dhunohet për herë të dytë nga demokratët dhe askush nuk mban asnjë përgjegjësi. Këtë herë, në sy të sekretarit të përgjithshëm Gazmend Bardhi, Miza është dhunuar dhe intimiduar për të tjetërsuar procesin zgjedhor. Si mundet që forca politike që synon të vijë në pushtet, të legjitimojë aktet vandale duke mos mbajtur asnjë qëndrim ndaj agresorëve të cilët ushtrojnë dhunë dhe presion ndaj numrit një të Partisë Demokratike në këtë zonë? Së treti, si shembulli më negativ do të mjaftonte Kamza ku lufta brenda llojit kaloi kufijtë e imagjinatës. Truproja e ish kreut të bashkisë Xhelal Mziu rrahu dhe bëri për spital djalin e Shemsi Premçit, këshilltarit të Presidentit Ilir Meta, njëherësh dhe ish kreu i emergjencave civile. Nga të dhënat u raportua se gjatë dhe pas votimit ka pasur incidente ku bëhej fjalë për sherr me grushte dhe sende të forta ku dy persona janë dërguar për në spitalin e Traumës pasi kanë marrë goditje në trup. A mund të jetë ky një model për atë çka duam t’i ofrojmë Shqipërisë me proceset zgjedhore?

Sot më shumë se kurrë, Partia Demokratike duhet t’i jepte leksion praktik forcave të tjera politike se si bëhen zgjedhjet brenda saj, në mënyrë që shqiptarët t’i merrnin seriozisht tezat e saj publike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Procesi i ndjekur, vetëm sa vërteton rishtazi akuzat e adresuara ndaj “selisë blu” se gara e improvizuar nga krydemokrati Basha për të shpëtuar nga pasojat që mund të vinë nga lista, deri tani është krejt komike. Për të mos i shtuar pastaj dozat e humorit që do t’i shtohen në ditën kur ai do të mbyllet në zyrën e tij për të bërë manikacionet sipas formulës që ja diktojnë të tjerët në vesh. (TemA)