Ndryshimi i tarifave nga ana e kompanive celulare në të shkuarën jo në pak raste është bërë shkak për pakënaqesi mes pajtimatarëve, që kanë argumentuar se nuk janë njoftuar ndërkohë që jo në pak raste ka ndërhyrë edhe Autoriteti i Konkurrencës. Por Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka vendosur të qartësojë procedurën hap pas hapi si pjesë e rregullores për mbrojtjen e konsumatorit, duke u ndalur edhe tek ndryshimi i tarifave. Në draftin e nxjerrë për konsultim thuhet se sipërmarrësit janë të detyruar të paraqesin në AKEP informacionin mbi tarifat e shërbimeve, si dhe çdo ndryshim të tyre me arsyetimet mbështetëse, jo më vonë se 15 ditë para hyrjes në fuqi të tarifave ose ndryshimeve të tyre.

“Ky informacion duhet të dërgohet në rrugë elektronike dhe/ose shkresore. Forma e dërgimit të të dhënave në rrugë elektronike do të jetë e disponueshme edhe në faqen e internetit të AKEP. AKEP-i publikon vlerësimin e përgjithshëm krahasues të tarifave aktuale sipas përcaktimeve të nenit 12 te kësaj rregulloreje” thuhet në dokumentin e AKEP.

I njëjti nënvizon se sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike të njoftojnë, nëpërmjet mjeteve të informimit publik, çdo ndryshim në tarifat e shërbimeve, jo më pak se 7 ditë përpara hyrjes në fuqi të tyre ose të ndryshimeve dhe ky njoftim duhet të bëhet jo më pak se 3 ditë rresht. Po kështu sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike duhet të publikojnë në faqen e tyre të internetit kushtet e përgjithshme të kontratave tip dhe t’ia paraqesin ato AKEP-it për vlerësim, të paktën, 15 ditë para publikimit sipas nenit 98 pika 5 të Ligjit 9918/2008.

Lidhur me modeifikimet e kontratave rregullorja përcakton se sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike duhet të njoftojnë për jo më pak se 30 ditë përpara “ Sipërmarrësit, të cilëve AKEP u ka vendosur detyrime të veçanta për tarifat me pakicë, duhet të aplikojnë afatet dhe rregullat e përcaktuara nga AKEP në mënyrë specifike. Përcaktimet e mësipërme janë të detyrueshme për t’u zbatuar për të gjitha paketat e shërbimeve, me parapagesë ose me paspagesë, paketa standarde, oferta, etj” vlerëson draft rregullorja./ monitor