Banorët e Çorovodës do të kenë 24 orë ujë të pijshëm në ditë pas 60 vitesh, me cilësi dhe sipas standardeve të monitoruara nga sistemi bashkëkohor SCADA. Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga puna që po bëhet për ndërtimin e këtij ujësjellësi. “Kantieri i ujësjellësit të Çorovodës ku po ndërtohet nga e para rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit dhe fshatrave përreth, do të mundësojë 24 orë ujë të pijshëm sipas standardeve në 2021-shin”, tha Rama.

“Ndërtuar qysh në vitet 60 dhe amortizuar në dekada të tëra pa asnjë investim, ky rrjet mbulon furnizimi me ujë të banorëve të Çorovodës, Çerenishtit dhe Sharovës”, u shpreh Rama. Investimi synon të përmbyllet në vitin 2021 duke garantuar modernizimin e sistemeve të ujësjellësit dhe deri sot janë realizuar 31% e punimeve. Impakti i këtij investimi lidhet me përmirësimin e sasisë së ujit për frymë i cilësisë së ujit. Në ujësjellësin e ri janë realizuar 1 kaptazh i ri-Burim Guak, 4.4 km linjë e re dërgimi, 25.1 km rrjet i ri shpërndarje, stacion i ri pompimi dhe 5 depo të reja uji me 1000 m3 si dhe lidhja 100% me ujëmatësa për konsumatorët.