Me Interin dhe Fiorentinën, që do të përballen sonte prej orës 20:45, ai luajti nga 233 dhe 338 ndeshje zyrtare. Prandaj, mos më kërkoni parashikime, do të vihesha në siklet, – thotë ish-portieri. Në këtë periudhë, pasi rriti dy djemtë, Bianca, vajza e vogël, nëntë muaj e gjysmë, është pjesëtarja e fundit në shtëpinë e Toldos. Ky i fundit ndihet i përkëdhelur nga ky fat: Kam udhëtuar shumë në karrierën time, nuk dua të humbas as edhe një minutë të rritjes së saj. Më tej, një analizë për futbollin, Interin, për atë që ndodh në fushat e blerta. Në intervistën për Gazzetta dello Sport, ai nënvizon mes të tjerash:

INTERI Publiku po pret të fitojë. Ka pak presion. Ekipi është i fortë, zikaltrit do të jenë në gjendje të luajnë në të njëjtin nivel me Juventusin. Përulësia e secilit lojtar do të bëjë ndryshimin, por ky Inter më jep shpresë. Unë pëlqej Lautaro, por mbi të gjitha Lukakun, që është shembulli për t’u ndjekur.

CONTE Nëse ai mbeti trajner, kjo do të thotë se ka bashkim total mes hallkave të klubit. Conte ka një mentalitet fitues dhe nuk është kurrë i kënaqur me veten. Kur të arrish tek Interi, nuk është kurrë e lehtë. As për një trajner të madh si ai, perfekt për mjedisin.

FAMILJA ZHANG  Ata janë tepër të uritur. Ndoshta nuk e kanë entuziasmin e Morattit, diçka e paarritshme, por janë të motivuar. Po i bëjnë gjërat siç duhet, kanë inteligjencë dhe disponueshmëri ekonomike. Pas disa vitesh, Interi do të jetë në nivelin e PSG, Manchester City dhe Real Madrid. Suning do ta ngrejë lart. Steven është inteligjent, ai e ka kuptuar vlerën dhe peshën e traditës. Si një interist, unë do t’i thoja që të besojë edhe në instiktet e tij.

FIORENTINA  Unë jam kurioz për Commisso; i vlerësoj fjalët, por faktet kanë rëndësi. Në të kaluarën, tifozët janë djegur nga kaq shumë premtime. Shpresoj në kualifikimin e Fiorentinës në “Europa League”, edhe nëse gara do të jetë e ndërlikuar. Castrovilli dhe Chiesa do të qëndrojnë në Firence për një kohë të shkurtër, është e kotë të fshihesh. Por, Fiorentina do të fitojë përsëri.