Pavarësisht situatës epidemike që ka pushtuar gjithë botën, Tirana nuk resht në përgatitjet e saj për të mirëpritur Titullin Kryeqyteti Evropian i të Rinjve në vitin 2022. Bashkia e Tiranës, si qytet aplikues dhe Kongresi Rinor Kombëtar, si strukturë rinore mbështetëse e këtij titulli, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi ku palët marrin përsipër zbatimin e ideve dhe projekteve të përbashkëta për të rritur pjesëmarrjen aktive të të rinjve në shoqëri. Në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se kjo do i hapë rrugë qindra aktiviteteve me pjesëmarrje, jo vetëm të të rinjve të kryeqytetit. “Është një ditë speciale sot, sepse kemi kaluar nga angazhimet teorike në një marrëveshje praktike që Bashkia e Tiranës lidh me ombrellën më të madhe të organizatave dhe aktivistëve rinorë në Shqipëri, që është Kongresi Rinor Shqiptar. Mezi pres që këto qindra aktivitete që ne kemi planifikuar të zënë një vend në buxhetin e Bashkisë, në buxhetin e Ministrisë dhe pastaj duke mbajtur angazhimin tonë financiar ne dalim faqebardhë në organizimin e këtyre qindra aktiviteteve”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se kjo marrëveshje është një mundësi fantastike që të rinjtë e Europës të vijnë në Tiranë, por edhe që qytetet e tjera të përfshihen. “Duke pasur aleancë strategjike, një partneritet special me Kongresin Rinor Shqiptar, sigurohemi që edhe të rinjtë nga zonat periferike të Shqipërisë, nga zona ku këto aktivitete nuk ndodhin shpesh, të kenë mundësi të ndihen të përfaqësuar. Unë besoj që përtej një përfaqësimi dhe një kartoline të Shqipërisë në 2022 si Kryeqyteti Europian i Rinisë, janë një provë gjenerale se çfarë organizimi mund të bëjnë të rinjtë shqiptarë nëse bëhen bashkë. Imagjino çfarë potenciali kanë djemtë dhe vajzat që nëpërmjet këtyre organizatave rinore do të kenë një mundësi fantastike për të organizuar vitin Europian të Rinisë në 2022 dhe pastaj për ta përdorur si një trampolinë për karrierat e tyre, qofshin lokale, apo në institucionet europiane ku duam të integrohemi”, tha ai. Veliaj nënvizoi se, potenciali rinor është sot pasaporta më e bukur shqiptare në Europë.

“Si epiqendër e kësaj energjie rinore, jo vetëm që do marrim shumë, por edhe do japim. Besoj që për shumë të rinj që vijnë nga vende të tjera të Europës ku ndoshta disa prej sfidave që ne hasim këtu janë zgjidhur me kohë, do të jetë edhe për ta një mundësi për të parë se si me pak kreativitet. Ndoshta jo me shumë financa, siç mund të kenë vendet e zhvilluara, ne i përballojmë këto sfida dhe gjejmë një rrugëdalje për të dalë më të fortë seç ishim. Do të jetë një vit ku ne me shumë gjasë do të kemi përfunduar një pjesë të madhe të rindërtimit të tërmetit dhe besoj që shumë nga këto mësime të pandemisë e tërmetit, që kanë qenë kriza që çdo vend të zhvilluar e vënë në vështirësi, do të kemi mundësi të tregojmë që jemi një Komb i kalitur dhe një Komb ku popullsinë e re nuk e shohim si dobësi, por si pikë të fortë përballë një Europe që është e madhe në moshë, që krahu i punës vjen duke u zvogëluar. Unë besoj që potenciali rinor është ndoshta pasaporta më e bukur shqiptare dhe mezi pres ta kthejmë në një vit suksesi bashkë me djemtë dhe vajzat e Kongresit, që jam i sigurt që do japin më të mirën, siç do të bëjmë edhe ne në Bashkinë e Tiranës dhe ashtu, edhe qeveria shqiptare me ministrin e Rinisë dhe Arsimit.

Drejtoresha e Kongresit Rinor Kombëtar Dafina Peci duke shprehur vlerësimin për titullin që iu besua “Tirana kryeqyteti i të rinjve 2022”, tha se aktivitetet do të prekin tema nga më të rëndësishmet për të rinjtë shqiptarë. “Sot është një ditë finalizuese e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë së Tiranës në kuadër të titullit, “Tirana kryeqyteti i të rinjve 2022”. Është një zotim i ndërmarrë nga të dyja palët, nga institucioni i Bashkisë dhe Kongresit Rinor Kombëtar që është organizata më e madhe përfaqësuese e organizmave rinorë në vend. Për ne është shumë e rëndësishme që ky titull që na u besua dhe na u dha nga strukturat europiane të gjejë Tiranën si një qytet të përgatitur për të zhvilluar aktivitetet në 8 fusha kryesore, ku preken përgjithësisht tema që janë më të rëndësishme për të rinjtë shqiptarë si edukimi, mësimi, pjesëmarrja aktive, sporti, kultura dhe gjithashtu dhe gjithashtu dimensioni Europian që është shumë i rëndësishëm në këtë kohë ku vendi ynë ndodhet,” u shpreh ndër të tjera znj. Dafina Peci, Drejtoreshë Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar.

Ndërsa zv/ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sportit, Aspasjana Kërxhalli, u shpreh se titulli favorizon jo vetëm organizatat të cilat operojnë në Tiranë, por njëkohësisht të gjitha organizatat e tjera që do të lindin në të ardhmen. “Ne si ministri e Arsimit të Sportit dhe Rinisë do të kujdesemi që të kemi bashkëpunimin maksimal dhe të suksesshëm për atë që jemi zotuar edhe gjatë fazës së aplikimit për sa i përket pjesës së titullit. Kështu që mirëpresim krah hapur të gjitha aktivitete që do të ndodhin në Tiranë, që nuk janë pak, janë mbi 500 aktivitete dhe jemi shumë të lumtur për këtë dhe për të gjithë të rinjtë që do të vijnë nag Europa, por edhe për të rinjtë tanë që shkojnë në Europë,” deklaroi zv/ministrja e Arsimit.

Falë ndërveprimit të të rinjve, organizatave dhe grupeve rinore me Bashkinë e Tiranës, nën mbështetjen e strukturës rinore të Kongresit Rinor Kombëtar u bë e mundur arritja e një rezultati të shkëlqyer në cilësimin e Tiranës si Kryeqyteti Evropian i të Rinjve për vitin 2022 nga Forumi Rinor Evropian (EYC) në Amiens të Francës në 17, Nëntor 2019. Në përputhje me sloganin Activ janë planifikuar projekte inovative dhe gjithëpërfshirëse që nxisin frymën e aktivizmit tek të rinjtë dhe ushqejnë potencialin e tyre.