“Integrimi i Shqipërisë në BE dhe i vendeve të ish-Jugosllavisë duhet të vazhdojë”.

Kështu u shpreh kryeministri italian, Giuseppe Conte teksa mori pjesë në Konferencën për 45 vjetorin e Traktatit të Helsinikit, mbajtur sot në Romë në Pallatin Borromeo.

“Janë pesë vende të ish Jugosllavisë dhe Shqipëria, të cilat aspirojnë të jenë pjesë e familjes europiane.

Është një proces shumë kompleks e shumë delikat”, tha Conte duke shtuar se “është i bindur që ky proces duhet absolutisht të vazhdojë”, raportojnë mediat italiane.

Më tej ai tha se procesi i integrimit europian i këtyre vendeve duhet të kryhet sepse nëse nuk arrihet ky objektiv do të rrezikojmë të shohim këto vende të heqin sytë nga Europa dhe të kërkojnë aleatët e tyre të vjetër.

Për kryeministrin italian me procesin e integrimit të Shqipërisë dhe të vendeve të ish Jugosllavisë është në lojë kredibiliteti i politikës së jashtme europiane.

“Mendoj gjithashtu që procesi i integrimit europian i këtyre vendeve duhet të kryhet e nëse dështojmë dhe këtë objektiv jo vetëm do të rrezikojmë të shohim këto vende të heqin sytë nga Europa e të kërkojnë aleatët e tyre të vjetër, por rrezikojmë që këto vende të kërkojnë aleancë me Federatën ruse “lojtar historik i këtij territori” por dhe me Turqinë apo me aktorë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar të interesuar për të forcuar praninë e tyre në gadishullin Ballkanik si p.sh Kina e vendet e Golfit (Arabia Saudita, Kuëait, Bahrain, Emirati Arabi Uniti, Oman, Iraq, Iran, Qatar)”, ka shtuar ai, raporton gazetarja Alba Kepi.

Kryeministri i Italisë ka kritikuar dhe vetë institucionet e BE-së, duke i akuzuar për kompleksitet dhe ngathtësi në procesin e vendimeve.

“Nuk duhet të ngrihen pengesa. Ajo cfarë vihet re është kompleksiteti e ngathtësia në procesin e vendimeve të institucioneve europiane e shumë shpesh është e vështirë të arrihet unanimiteti i 27 vendeve anëtare. E është e qartë që duhet të ndërhyjmë për të thjeshtëzuar e bërë më të shpejtë e efikas proceset vendimore europiane”, shtoi Giuseppe Conte.