Shkolla 9-vjeçare “Vëllezërit Haradinaj” në Rrashbull, Durrës, do të rihapë dyert në 26 nëntor me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, inspektoi sot punën që po bëhet për rindërtimin e kësaj shkolle.

“Kjo shkollë po rilind më e madhe e më bukur, më e fortë për 530 nxënës dhe mësuesit. 32 objekte mësimore po ndërtohen në Durrës, me kushte optimale, të pakrahasueshme me ato që humbëm 26 nëntorin e shkuar”, – tha Rama.

“Në 26 nëntor kjo shkollë do të jetë e përfunduar, ndërsa të gjitha shkollat janë brenda afateve të ndërtimit”, – tha Rama.

Kryetarja e bashkisë Sako u shpreh se “shkolla ka 21 klasa, 2 laboratorë, bibliotekë, sallë mësuesish, palestër sportive. Shkolla po ndërtohet me standarde të larta dhe do të ketë kushte më të mira për nxënësit”.

143 shkolla do të ndërtohen të reja në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ato do të kenë standarde europiane dhe do ndërtohen në kuadër të programit të Rindërtimit me fonde nga buxheti i shtetit dhe donatorët.