Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se të gjitha shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas që po ndërtohen me fondet e buxhetit të shtetit do të jenë gati brenda 31 dhjetorit të këtij viti.

Deklarata e ministrit Ahmetaj u bë gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me drejtorin e Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa Al Kuwari, për ndërtimin e dy shkollave dhe kopshtit e çerdhes 42, përmes një investimi prej 5 milionë dollarë sh, kontribut i Katarit në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.

Buxheti i shtetit i cili po mbështet programin e rindërtimit pas tërmetit të fortë të 26 nëntorit të vitit që lamë pas ka arritur në 34 miliardë lekë.

Programi i Rindërtimit për arsimin parashikon ndërtimin e 143 shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar në zonat e prekura.

Puna për rindërtimin po vijon me ritme të shpejta dhe janë çelur pothuaj të gjitha programet e tij, përfshirë ndërtimin e banesave individuale dhe kolektive, ndërtimin e shkollave si dhe ndërtimin e infrastrukturës në zonat e prekura.