Kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj inspektuan punimet për rindërtimin e banesës së familjes Lame në Lanabregas, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit. Veliaj informoi kryeministrin Rama se në të gjithë Tiranën janë 359 kantiere të hapura. Ai bëri të ditur se të hënën do të ketë edhe një mbledhje të Këshillit Bashkiak për të miratuar dhe listën me 250 shtëpitë e fundit individuale që do rindërtohen.

“Në Tiranë jemi 359 kantiere të hapura për shtëpitë. Pra, ose shumë afër fundit, ose në nivel karabinaje. Kemi prapë mbledhje të Këshillit Bashkiak të hënën dhe kemi 250-shen e fundit. Pastaj, do të bëjmë një tjetër mbledhje të Këshillit Bashkiak vetëm për të adresuar ndarjen e kurorave. Pra, do i kthejmë dy shtëpitë mbrapsht dhe do prodhojmë një vendim tjetër për katër, që të jemi në rregull edhe me ligjet e shtetit, edhe me transparencën që ju e keni theksuar që duhet të ruajmë çdo dokument”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se pavarësisht spekulantëve, i gjithë procesi është transparent duke respektuar gjithë procedurat ligjore dhe ruajtur dokumentacionin e plotë. “Patjetër që ka edhe njerëz që janë spekulantë, që thonë nuk jam paguar, nuk jam ndihmuar. Ne i kemi ruajtur faturat të gjithëve, raportet, akt-konstatimet, të gjithëve. Edhe kur dikush shpif për punë 2 minutash ne e verifikojmë. Por ajo që dua të them që për çdo njeri që mundohet të bëjë spekulantin, janë 1000 të tjerë që janë mirënjohës dhe që kanë respektuar shtetin, ligjet, afatet, certifikatat, hipotekën. Kështu që 99 % e njerëzve, si ata që përfitojnë, si ata që ndihmojnë, që paguajnë taksa janë super të ndershëm dhe korrekt. Pastaj çdo spekulant sqarohet, i jepet fatura”, deklaroi Veliaj.